Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e pritjes së komisionerit të Bashkim Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyin.
Gjatë fjalimit të saj, Osmani ka thënë se Kosova duhet të merr liberalizimin e vizave, pasi siç tha ajo tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret.
“Institucionet e Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kriteret për heqjen e vizave, dhe mos-liberalizimi i vizave s’i bën nderë as BE-së. Maratona duhet të ketë një epilog. Kosovës duhet liberalizuar vizat tani”, tha Osmani në Kuvend.
Osmani përmendi edhe dialogun, proces ky që sipas saj s’duhet të përfshijë ndryshim kufijsh.
“Ju sot jeni në vendin ku gjenden rrënjët e hershme të qytetërimit evropian. Jemi të përkushtuar për të rilidhur këtë fije të zbehur. Vizita juaj vjen në një kohë kur diskursi për integrimin evropian është rikthyer në vendin tonë. Për Kosovën, roli i BE-së është i patjetërsueshëm. Edhe në procesin e dialogut roli i BE-së është i veçantë në bashkërendim me SHBA-të. Ky kuvend e ka bërë të qartë se në këtë proces nuk lejohet ndryshim kufijsh dhe ide të tjera që mund të krijojnë një Republika Srbska në vendin tonë”, tha ajo.