Kryetarja e Kuvenit të Kosovës, Vjosa Osmani po pret opinion profesional nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik të Kosovës (IKSHPK), nëse Kuvendi mund ta mbajë seancën, të cilën e kërkon LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Osmani ka thirrur për nesër (e marte) mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku do të diskutohet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, të cilin e ka iniciuar partia në të cilën është nënkryetare.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari i kryeparlamentares, Faton Peci.
“Është kërkuar opinion profesional nga IKSHPK-ja, ndërkaq mbledhja e kryesisë, ku trajtohet mbajtja e seancës mbahet nesër”, ka thënë ai.
LDK-ja të premten ka mbledhur dhe ka dorëzuar mbi 40 nënshkrime të nevojshme për të thirrur seancën, ku pritet të votohet mocioni i mosbesimin ndaj Qeverisë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni duhet të vihet në rendin e ditës së Kuvendit brenda 5 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është deklaruar se seanca, ku votohet për rrëzimin të Kurtit, nuk mund të mbahet, pasi sipas tyre, një gjë e tillë ndalohet sipas vendimeve të marra për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Analisti Blerim Vela ka shkruar sot se Kuvendi nuk mund të thërrasë seancë, kur një nga masat elementare është mbajtja e distancës prej dy metra mes vete.
Megjithatë ai citon rregulloren e Kuvendit, ku thuhet se seanca mund të mbahet në hapësira tjera. Sipas Veles, mbetët të shihet nëse do të arrihet të realizohet një seancë me qindra veta, duke u respektuar masat që cilësohen si jetike, në situatën e krijuar nga koronavirusi.
Mocionin e rrëzimit të Qeverisë Kurti, e cila u votua më 3 shkurt, e kanë përkrahur partitë opozitare.
LDK-ja kërkoi rrëzimin e Qeverisë, pjesë e të cilës është edhe vetë, për shkak të vendimit të kryeministrit Albin Kurti për ta shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun. Sipas tekstit të nismës së rrëzimit të Qeverisë, LDK-ja përmend “rrezikimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Kryeministri Kurti” si arsyen kryesore të prishjes së marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje.