Rama: Serbia nuk mund të hapë gojë për kufirin Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së ministrit serb Aleksandër Vulin, lidhur me deklaratën e këtij të fundit ku fliste për Shqipërinë e Madhe.

Rama tha se Serbia nuk mund të hapë gojën se sa ka avancuar Shqipëria në marrëdhënie me Kosovën mbi hapjen e kufijve të përbashkët që është një prej kushteve të minishengenit ballkanik.

Ai më tej ka thënë se është i neveritur nga deklaratat e Vulinit.

“Unë jam neveritur kur kam kuptuar që deklarata e tij nuk ishte meme. Nuk ka mundësi që një anëtar të bëjë një deklaratë të tillë. Në vitin 2020 të jetë një gojë kaq e shthurur dhe një mendje kaq e errët. Ka vetëm një të mirë kjo, që ekstremistët shqiptarë në Prishtinë më akuzojnë që po punoj për Serbinë e madhe ndërsa serbët anasjelltas. Unë kam kërkuar një reagim nga Presidenti i Serbisë. Unë kam qenë i qartë me të dhe mendoj që e kam kuptuar që ai ka qenë dakord me mua që shengeni rajonal është një proces në mbrojtje të interesave rajonale. Serbia nuk mund të hapë gojën se sa shpejt ne dhe Kosova avancojmë në minishengenin”, tha Rama.