Buxheti i vitit 2021, për 200 milionë euro më i ulët

Qeveria e Kosovës është në fazën finale të përgatitjes së projekt-buxhetit për vitin 2021.

Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, ai pritet të kapë shumën prej 2.4 miliardë eurosh, ose 200 milionë euro më pak, krahasuar me vitin paraprak. Kjo rënie e ka si shkak pandeminë.

Krasniqi ka thënë se ky projekt-buxhet duhet të dërgohet për miratim deri në fund të muajit.

“Për vitin 2021, duke pasur parasysh burimet e brendshme e të jashtme, tek shpenzimet jemi ende në fazën e fundit të diskutimeve, por buxheti do të jetë diku rreth 2.4 miliardë euro, do të thotë bie në krahasim me këtë vit, që është 2 miliardë e 600 milionë… Buxheti do të jetë më i vogël edhe për shkak të pandemisë, por realisht nëse krahasojmë buxhetin 2020 me 2021, të hyrat do të rriten, do të rikthehemi te rritja ekonomike, por jo në atë shkallë për të mbërritur kufirin e vitit 2020”, ka thënë ai.