Ramadani thotë se vaksina kundër COVID-19 do të zbulohet së shpejti

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani, vlerëson se koha optimale për zbulimin e vaksinës kundër COVID-19, do të jetë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021. 

Ramadani ka thënë se tashmë është planifikuar strategjia e imunizimit.

“Koha më optimale dhe më e shpejtë do të jetë fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit të ardhshëm. Por që është një problematikë tjetër në këtë kontekst. Nuk është vetëm zbulimi i vaksinës, nuk është vetëm futja e vaksinës në praktikë, por është edhe shpërndarja në gjithë rruzullin tokësor duke pasur parasysh kërkesat shumë të mëdha të shteteve për vaksinë kundër COVID-19”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se Kosova i ka gjasat e mëdha që të vijë deri te furnizimi me vaksina falë shteteve evropiane.

“Qysh tash e kemi paraqitur kërkesën. Sipas të gjitha gjasave, Kosova do të furnizohet në bazë të planifikimit të Bashkësisë Evropiane, edhe për Kosovën dhe shtetet e Ballkanit planifikohet se do të vijë vaksina. Ne do ta marrim atë, popullata do të jetë e vaksinuar në bazë të prioriteteve, në radhë të parë personat me indikacione epidemiologjike”, ka thënë ai në Ktv.