Tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po konsiderohet e mbyllur vetëm nga pala kosovare.
Kjo, pasi që përveç Serbisë, si temë të hapur për dialog në Bruksel po vazhdon ta konsiderojë edhe BE-ja.
Përkundër deklaratave të zyrtarëve të BE-së se Asociacioni është temë e hapur, kryeministri Hoti ka thënë se ajo është temë e përfunduar.
“Asociacioni është një temë e kryer, e përmbyllur me marrëveshje në vitin 2013. Por dialogu nuk do të ngecë për shkak të Kosovës. Ne jemi shtet i pavarur, parimet i kemi të qarta të dakorduara me miqtë tanë ndërkombëtarë, kur kemi hyrë në këtë proces të rëndësishëm. Mbi bazën e këtyre parimeve jemi të gatshëm të dialogojmë … Kompromiset Kosova i ka bërë në vitin 2008, kur e ka shpall pavarësinë”, ka thënë kryeministri Hoti.
Të martën e kësaj jave shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e hapur për të cilën duhet të flitet në Bruksel në kuadër të marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë.
Por në interesimin e KOHËS lidhur me atë se çfarë konkretisht do të mund të diskutohet lidhur me këtë temë, zyra e BE-së në Kosovë të enjten nuk ka kthyer përgjigje.
Nga BE-ja, për herë të parë këtë të mërkurë thanë se në propozimin për zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit duhet të merret parasysh edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Gjithashtu, rikujtuan se i takon Kosovës që të vijë me propozime për zbatimin e saj. Ndonëse nuk është thënë zyrtarisht, Asociacioni ka ndikuar edhe në mosmbajtjen e takimit të 28 shtatorit, në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.