Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes një konference për media njoftoi se prej muajit të ardhshëm do të bëhen publikë kandidatët e kryetarëve nëpër komunat e Kosovës.
Sipas kryetarit Kadri Veseli, PDK, bashkë me qytetarët, do të bëjnë gati edhe platformën për zgjedhje lokale.
“Të ndërtojmë platformë për zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet e ardhshme lokale PDK-ja do të fitojë shumicën absolute të komunave të Kosovës. Muajin e ardhshëm do të fillojmë shpalljen e kandidaturave për kandidatë për asamble komunale”, tha Veseli duke u bërë thirrje qytetarëve që janë profesionalë e që kanë gatishmëri të paraqiten.
Sipas Veselit, koncepti i PDK-së për qeverisje lokale bëhet me qëllim për t’iu shërbyer qytetarëve.
Veseli ka lavdëruar kandidatët e PDK-së, Ramiz Lladrovicin, Besim Ilazi, Agim Aliun që, sipas tij, janë më transparentët sa u përket kryetarëve komunave të Kosovës.
Fjalimi i plotë Kadri Veselit:
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë të Kosovës
Sot jam në këtë konferencë së bashku me dy bashkëpunëtorë të mi të PDK-së, kryetarët e komunave të Ferizajit, z. Agim Aliu dhe të Drenasit, z Ramiz Lladrovci.
Kemi një arsye të veçantë që gjendemi bashkë në këtë konferencë dhe ka të bëjë me suksesin që kanë shënuar komunat e qeverisura nga PDK-ja në nivel të Kosovës dhe me përformancën e lartë që kanë arritur.
Mbi të gjitha ky është një shembull e model i qeverisjes së suksesshme që kanë shënuar edhe vet kryetarët me lidershipin e tyre.
Në raportin e publikuar për Performancën e Komunave në gusht të këtij viti nga Ministria e Pushtetit Lokal, rezulton se nga 37 komuna të Kosovës, në top 10 për përformancën më të mirë janë 3 komuna të qeverisura nga PDK-ja.
Komuna e Drenasit nën udhëheqjen e z Ramiz Lladrovci, është e para edhe këtë vit, e pasuar në vendin e shtatë nga komuna e Kacanikut, me udhëheqjen e kryetarit z. Besim Ilazi, dhe në vendin e tetë, ajo e Ferziajit e udhëhequr nga z. Agim Aliu.
Indikatorët e shpalljes për komunat më të mira, sikurse e dini, mbështeten në një numër të madh të kriteresh dhe monitorimesh përgjatë një viti.
Aty hyn menaxhimi i fatkeqësive, uji i pishëm, transparenca komunale, shërbimet publike, menaxhimi i mbeturinave e shumë fusha të tjera.
Prandaj publikisht i përgëzoj dhe i falendëroj kryetarët për një punë të shkëlqyer në shërbim të qytetarëve, duke treguar për vlerat e vërteta të PDK-së.
Ky është vizioni ynë, për mirëqeverisje, transparencë dhe pa korrupsion.
Modeli i qeverisjes së suksesshme të komunave të udhëhequra nga PDK-ja, është tregues i qartë se vota e dhënë nga qytetarët në këto komuna është shpërblyer me punë, me shërbime të mira për ta dhe pa asnjë abuzim.
Po ashtu, performanca e lartë e komunave të udhëhequra nga PDK-ja në raport me komunat e qeverisura prej partive tjera, tregon qartë dallimin e madh.
Këto parti bëjnë premtime e mashtrime ndaj qytetarëve, dhe nuk janë në gjendje të bëjnë as edhe një punë të mirë.
Ftoj qytetarët e Kosovës që ti besojnë PDK-së; ti besojnë vizionit të dhe përfaqësuesve të saj në komuna gjatë zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Jam i bindur se modelet qeverisjes së suksesshme në Drenas, Ferizaj, Kacanik e Shtime do të mbështeten nga qytetarët edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Sepse ky është modeli i premtimeve që mbahen e kthehen me punë, dhe jo i mashtrimit e keqqeverisjes.
Brenda disa javëve, ne si Parti Demokratike e Kosovës do të fillojmë të shpallim kandidaturat për kryetarë të komunave, dhe ekipet e tyre.
Oferta qeverisëse është rezultat i kërkesave dhe nevojave të drejtpërdrejta të qyetarëve.
Jam i bindur se këto zgjedhje lokale që po vijnë, shënojnë vitin e madh të kthimit të PDK-së në pushtetet komunale.