Heqja e vijave të kuqe nga LDK-ja për PDK-në, kthim në “normalitet”

Në adresë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për përfshirje në qeveri, thotë zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyqi.

Komentet e tilla vijnë pas deklaratave të liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili për mediat në Kosovë ka thënë që vijat e kuqe, të cilat LDK-ja i kishte vënë para zgjedhjeve ndaj PDK-së “tani duhet të hiqen” edhe “në situatën e tanishme, por edhe kur të vijnë zgjedhjet e ardhshme, për shkak se zgjidhjet janë të vështira”.

Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e drejton Isa Mustafa, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ditën e hënë, nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me heqjen e vijave të kuqe të partisë së tij ndaj PDK-së dhe të ndonjë oferte eventuale për këtë parti për përfshirje në koalicionin qeverisës.

Ai ka theksuar që koalicioni aktual qeverisës, i cili përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, është i qëndrueshëm.

“Qeveria është stabile dhe për aq kohë se qeveria është stabile unë nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera. Jemi duke e respektuar marrëveshjen e koalicionit. Unë jam duke u kujdesur çdo ditë që të respektohet kjo marrëveshje”, theksoi Hoti.

Në mesin e shtatorit të vitit të kaluar, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës patën deklaruar se kjo parti ka pasur përvoja jo të mira me PDK-në dhe nuk e do bashkëpunimin në asnjë rast me këtë subjekt politik.

Siç patën theksuar ata, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së kishte marrë vendim që në asnjë mënyrë të mos negociohet me PDK-në për asnjë koalicion të mundshëm.

Zyrtarët e LDK-së, atëherë, e patën akuzuar PDK-në për siç kishin thënë “për shumicën të këqijave, për gjithë keqmenaxhimin” e të gjitha “resurseve shtetërore dhe organeve shtetërore në Kosovë në 20 vjetët e fundit”.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i partisë së tij është se “vijat e kuqe” të vendosura nga LDK-ja para zgjedhjeve të fundit, kanë qenë mashtrim elektoral jo vetëm i saj, por edhe i partive tjera që kanë vendosur vija të kuqe.

“Tanimë e shohim një interes të shtuar të partive politike që të bashkëpunojnë me PDK-në në forma të ndryshme, si nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në qeveri, si nga Lëvizja Vetëvendosje, që është në opozitë. Për PDK-në, këto janë vetëm kthim në normalitet, sepse pak a shumë, kështu do të duhej të ishte realisht politika ku partitë e ndryshme do të duhej të kenë kundërshtime për shkaqe ideologjike dhe të politikave dhe jo për shkak të mendimeve negative kundrejt njëra tjetrës”, theksoi Bytyqi.

Ai shtoi që pavarësisht interesimit të shtuar të LDK-së për bashkëpunim, deri më tash nga kjo e fundit nuk ka ndonjë ftesë për PDK-në për përfshirje në koalicion qeverisës, edhe pse kjo e fundit që në fillim e ka bërë të ditur se do të qëndrojë në opozitë.

“Sa i përket ftesës për atë që të bëhemi pjesë në qeveri, PDK-ja, çdo kërkesë që vjen në adresë të saj, do ta shqyrtojë nga organet e saj vendimmarrëse. Pa dallim, si nga Lëvizja vetëvendosje, si nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Asnjë ftesë zyrtare nuk ka ardhur nga LDK-ja në adresë të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Bytyqi.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri,vlerëson që vijat e kuqe, të vendosura para zgjedhjeve të fundit në Kosovë nga partitë politike ndaj partive tjera të caktuara politike përfshirë edhe ato të LDK-së ndaj PDK-së, kanë qenë, siç i quan ai “mashtrim naiv i partive politike dhe i liderëve të tyre që t’i mobilizojnë militantët partiak vetëm në fushatë zgjedhore”.

“Qëndrimi i Isa Mustafës, kryetarit të LDK-së, për heqjen e vijave të kuqe, është pozitiv, sepse ndikon në një normalizim të skenës politike në Kosovë, ku për krijimin e aleancave politike kërkohen qëndrime pragmatike, plane dhe strategji konkrete dhe jo vija të kuqe të imagjinuara, të cilat nuk kanë kurrfarë efekti”, theksoi Muhaxhiri.

Ai theksoi se deklaratat që jep kryeministri Hoti, se qeveria e tij është e qëndrueshme, nuk janë të sakta. Sipas tij, heqja e vijave të kuqe për PDK-në nga ana e LDK-së, po bëhet pikërisht në kohën kur koalicioni aktual qeverisës, të cilin e drejton kryeministri Hoti, është mjaft i brishtë dhe po përballet me probleme të brendshme, por edhe me mungesë të përkrahjes së nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Nisur nga kjo, siç thotë ai, nuk mund të përjashtohet mundësia që LDK-ja të planifikojë riformatim të qeverisë aktuale, në të cilën synon të përfshijë PDK-në dhe të sigurojë përkrahjen më të fuqishme parlamentare.

“LDK-ja është në një pozicion të vështirë, sepse duhet të marrë përgjegjësi të mëdha edhe në aspektin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm. Pra, ajo duhet të reagojë ndaj dobësimit ekonomik që është bërë për shkak të pandemisë, ndërkaq në aspektin ndërkombëtar, për shkak të presioneve për dialogun dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Kështu që, me këtë konstelacion e ka absolutisht të pamundur që t’i përfundojë me sukses të dy këto projekte paralele”, theksoi Muhaxhiri.

Deri më tash, Qeveria e Kosovës, në mungesë të votave nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës një varg ligjesh dhe as Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Po ashtu, dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Hoti edhe për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, për normalizim të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë. /REL/