Pothuajse 65 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë presin që efekti ekonomik i shkaktuar nga pandemia COVID-19 do të vazhdojë deri në vitin 2021. Hotelet, restorantet dhe kompanitë e shërbimeve personale janë veçanërisht pesimist në këtë aspekt.
Kështu thuhet në studimin mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në përpjekjet e NVM-ve për digjitalizim, prezantuar nga ACCESS.
“Pothuajse të gjitha ndërmarrjet kanë shënuar rënie të shitjeve prandaj kanë vendosur të shkurtojnë orarin e punës në mënyrë që të mund të ruajnë numrin e punëtorëve. Kjo tregon për zbatim kryesisht të strategjive mbrojtëse. Krahas shkurtimit të orarit dhe numrit të punëtorëve, shumë kompani kanë ndërprerë investimet dhe blerjet. Një numër i vogël i NVM-ve kanë (përkohësisht) mbyllur biznesin”, thuhet në studim.
Raporti thotë se, rreth gjysma e NVM-ve në Kosovë synojnë të mbijetojnë pa ndonjë strategji të qartë.
“Në kontekstin e tanishëm të COVID-19, rreth gjysma e NVM-ve në Kosovë synojnë ‘të mbijetojnë’ pa ndonjë strategji të qartë, ndërsa një e treta kanë për qëllim të ulin kostot. Sa i përket përkrahjes institucionale, kompensimi i pagave të punëtorëve është dëshmuar si masa më e rëndësishme. Në përgjithësi, skemat mbështetëse që mundësojnë qasjen në financa janë më të kërkuarat dhe konsiderohen si më të dobishmet nga NVM-të kosovare”, vijon raporti.
Sipas ACCESS, bizneset në Kosovë ngurojnë të vazhdojnë me digjitalizimin e tyre, kryesisht për shkak të mungesës së fondeve.
“Ndërmarrjet në Kosovë ngurojnë të vazhdojnë me digjitalizimin e biznesit të tyre. Aty ku ka përpjekje për të mbështetur digjitalizimin janë lëmit ku zbatueshmëria dhe ndikimi është i menjëhershëm për ndërmarrjet. Ndërsa pengesat e identifikuara për digjitializim mbesin kostot e larta, mungesa e shkathtësive dhe shërbimeve cilësore, dhe mbrojtja e të dhënave”, përfundon studimi.
Ky studim është realizuar në format sondazhi me 408 NVM dhe është kryer gjatë muajit korrik të vitit 2020.