Të hënën, më 28 shtator në orën 15, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës, konfirmon përmes një komunikate për media Zyra e Prokurorisë së Specializuar.
Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.
Tutje thuhet se aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare. Aktakuza publike e redaktuar mund të lexohet këtu.
“Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim. Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjithashtu, DHSK-ja ka një qendër të posaçme për median nga e cila gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër”, thuhet në njoftim.