Kafenetë, restorantet e baret u mbyllën. Shumë biznese e fabrika kanë pak, ose fare prodhim.
Krejt kjo në kuadër të masave parandaluese për përhapjen e virusit Korona.
E gjithë kjo situatë pritet të ketë pasoja të mëdha edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kostoja pritet të jetë e lartë, për këtë, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon përkrahje nga institucionet
“Ne kërkojmë që në këtë fazë të jetë një përkrahje financiare, në një vlerë të caktuar sidomos për kostot fikse, pagat e punëtorëve, dhe kostove tjera fikse si qeratë dhe shërbimet e tjera komunale që i paguajnë bizneset”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Sipas ekspertëve, sektori privat do të jetë më i godituri nga kjo situatë.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se kriza ekonomike mund të ndikojë edhe në masat për luftimin e koronavirusit.
“Një fond emergjent është i nevojshëm që të jetë aktiv sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të mos kemi krizë sociale. Duhet të paguhen pagat e punëtorëve, dhe si mund të paguhen ato, kur i gjithë sistemi është i paralizuar”, tha Gërxhaliu.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se tashmë po përgatitet një plan emergjent.
Në mesin e masave të marra nga Qeveria është edhe pezullimi i pagesës së kësteve të kredive deri më 30 prill. E nëse kjo situatë vazhdon, pezullimi mund të shqyrtohet për shtyrje edhe më të gjatë. /RTK/