Ende s’ka datë të paraqitjes së parë të Mustafës në Speciale

Informatat rreth datës dhe orës së paraqitjes së Salih Mustafës do të bëhen të ditura me kohë, i ka thënë KOHËS Michael Doyle, prej Dhomave te Specializuara të Kosovës.

Ai ka treguar se Mustafa, i arrestuari i parë i Speciales, ishte arrestuar dhe transferuar në Njësinë e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, në pajtim me aktakuzën e konfirmuar, fletëarrestin dhe vendimin për transferim, të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Atij i është dhënë aktakuza e konfirmuar. Fazë e radhës e procesit është paraqitja e tij në gjykatë”, i ka thënë ai KOHËS.

Po ashtu ka dhënë informata rreth procesit që pritet të zhvillohet ditët në vijim.

“Në paraqitjen e tij, gjyqtari i procedurës paraprake siguron se të drejtat e të akuzuarit po respektohen, përfshirë të drejtën për avokat. Aktakuza i lexohet të akuzuarit në gjuhën, të cilën ai e kupton. Menjëherë pas kësaj, gjyqtari e informon të akuzuarin se brenda tridhjetë ditësh, ai mund të deklarohet rreth secilës akuzë, apo nëse i akuzuari dëshiron, ai mund të deklarohet menjëherë rreth fajësisë”.