Kush është Salih Mustafa, i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale?

Gjykata Speciale ka njoftuar se ka dhënë urdhër për arrestimin e ish-shefit të inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafës

Në një njoftim nga Specialja, thuhet se Mustafa është arrestuar pas konfirmimit të aktakuzës.

 “Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Po ashtu, aty është konfirmuar se Mustafa po transferohet në Hagë.

“Z. Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim.

Por kush është Salih Mustafa?                       

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën  udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vjet burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar dhe shokë ideali i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave të tjera eminente.

Sahil Mustafa ka qenë një nga themeluesit e LKQK-së. Kurse pas përfundimit të luftës vazhdoi  misionin e tij për ndërtimin e  institucione shtetërore.

Fillimisht shërbeu si shef i Departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.