Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, tha në një konferencë për media se dështimi i qeverisjes aktuale për të kryer testime të shpeshta për koronovirus, mund tu kushtojë keq qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se Qeveria është dashur që në fillim të përhapjes së pandemisë në Evropë, të testojë të ardhurit nga vendet e prekura për ta parandaluar shpërndarjen e virusit.
Ismaili tha se që nga shkurti Kosova ka kryer vetëm 570 teste, nga të cilat 31 nga rezultuar pozitive, apo 5.4 për qind e të testuarve. Siç tha Ismaili, nëse qeveria do të merrte masa dhe do të kryente 10 mijë testime, do të rezultonin 540 të infektuar.
Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili ka bërë thirrje për masa urgjente për rritjen e numrit të testimeve pasi virusi tashmë është shpërndarë në 10 komuna të vendit.
“Gjendja me koronovirus në Kosovë ka ndryshuar shumë nga java në javë. Duke humbur mundësinë që të ruajmë kufijtë tanë me teste më të shpeshta dhe izolim të pacientëve që kanë ardhur nga shtetet e ndryshme, sot kemi një situatë që tregon se Kosova nuk është duke u infektuar nga një pacient por nga shumë”, tha Ismaili.
Sipas tij, neglizhenca që të trajtohen personat që vijnë nga shtetet me rrezik si të infektuar potencial ka pasoja të mëdha për shëndetin publik në Kosovë, për ekonominë, arsimin e të gjitha fushat tjera.
“Në këtë situatë ku kemi shpërndarje në komuna të ndryshme, atëherë janë dy lloje masash që janë mëse të nevojshme dhe të cilat janë të lidhura direkt me njëra tjetrën”.