Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar në Komisionin hetimor për menaxhimin e pandemisë.
Ai ka folur për menaxhimin e pandemisë në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato të veriut.
Vitia ka thënë se ka pasur takim me kryetarët e komunave në veri derisa shton se i ka informuar për rrezikun nga mosrespektimi i masave.
Ai ka thënë se në baza ditore ka marrë raport për numrin e vdekjeve dhe të infektuarve në veri.
“Sa i përket procedurave të pranimit të testeve nga Serbia, ne para se të vijnë rastet e para kemi qenë në kontakt me të gjithë ministrat e rajonit. Por më së shumti komunikimet kane qenë me të Shqipërisë. I vetmi që unë s’kam pasur asnjë kontakt ka qenë ministri nga pala e Serbisë. Në fillim të prillit kam marrë një ftesë nga ambasadori italian në Kosovë dhe të cilët më kanë ofruar dhe njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit është mirë që të kemi kontakt edhe me ministrin e shëndetësisë nga pala tjetër e cila do të ndërmjetësohet nga KFOR-i nga ambasadori italian, dhe është caktuar data 15 prill një takim i tillë”, ka thënë ai.
Vitia ka treguar se ka ardhur një organizatë që ka ofruar një kontingjent ndihmash, por me kushtin që 10% të shkojnë për serbët por që nuk e ka pranuar.
“Pas gjithë kësaj ne kemi kërkuar si Republikë e Kosovës që njësoj sikur ne që nuk kemi penguar ndihmat që ka sjellë për qytetarët e palës serbe qe të mos kemi pengesa për qytetarët në Luginë. Ne jemi pajtuar që të dërgojmë ndihma në Luginë dhe gjatë kësaj kohe ministri serb ka ofruar testet që të i sjell në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se pranimi i testeve nga aspekti politik ka qenë vendim i duhur.