Hoti kërkon më shumë profesionalizëm në menaxhimin e kompanive publike të ujërave

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në takimin e Këshillit Ndërministror për Ujërat, në të cilin ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, si dhe ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, falënderoi vendet donatore, veçmas Zvicrën dhe Gjermaninë, që e kanë ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në vendin tonë.

Në këtë takim, kryeministri Hoti kërkoi profesionalizëm më të lartë nga bordet e menaxhimit të kompanive publike të ujërave në vend, duke theksuar se në disa kompani gjendja nuk është aspak e mirë sa u përket inkasimeve, ashtu edhe investimeve. Në këtë kontekst, ai kërkoi që të bëhet një analizë e detajuar e investimeve të deritanishme në sektorin e ujërave, të shihet performanca e ndërmarrjeve publike në sektorin e ujërave, të shqyrtohet mundësia e krijimit të një trupi të përbashkët koordinues i kompanive të ujit, si dhe të rishikohet Rregullorja e Punës e Këshillit Ndërministror, pas zgjerimit të tij edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe me atë të Bujqësisë.

Në kuadër të bashkërendimit të punës me institucionet e vendeve donatore, kryeministri Hoti ka pohuar se është e domosdoshme që komunat e Kosovës, konkretisht Komuna e Gjakovës dhe ajo e Prizrenit, t’i kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj projekteve ekzistuese.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë Jan-Axel Voss, theksuan përkushtimin e vendeve të tyre për ta ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në Kosovë, porse kërkuan që krahas avancimit teknologjik, të ketë edhe shtim të profesionalizmit në menaxhimin e kompanive të ujërave.