Në Spitalin e Pejës 20 pacientë me koronavirus, dy në gjendje të rëndë

Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë duke u trajtuar 20 pacientë me COVID-19, prej të cilëve dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe tetë janë në oksigjeno terapi.

Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit në Pejë janë shëruar 2 pacientë nga koronavirusi.

“Aktualisht po trajtohen 20 pacientë me Covid-19. Sa i përket gjendjes së pacientëve: 8 pacientë janë në Oksigjeno terapi dhe nga këta 2 pacientë janë në gjendje më të rëndë. 2 Pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se 5 lindje kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, prej të cilave 3 lindje kanë qenë normale dhe 2 me prerje cezariane. Kanë lindur 5 foshnje, 3 të gjinisë mashkullore dhe 2 të gjinisë femërore.

“Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 197 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë, dhe nga këta ta 22 pacientë janë̈ shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm. 205 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 3,053 analiza, ndërsa janë kryer 10 operacione. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 143 shërbime Radiologjike, dhe prej tyre 83 Rëntgena, 41 EHO dhe 19 CT-ja”, thuhet në njoftim.