Zhegrova rikthehet te Bazeli

Edon Zhegrova është kthyer te skuadra ku edicionin e kaluar nisi të shfaqë vlerat. Reprezentuesi i Kosovës të martën është transferuar te skuadra e madhe zvicerane, Basel.

Me Baselin, sulmuesi 21-vjeçar i krahut ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2023. Ai është transferuar nga Genku belg. Është largimi i dytë i Zhegrovës nga Genku për në Basel. Më 4 shkurt të vitit të kaluar, Zhegrova ishte huazuar te Baseli për një vit e gjysmë. Baseli kishte opsion që të blinte kartonin e Zhegrovës pas huazimit për një vit e gjysmë, por fillimisht këtë të drejtë nuk e shfrytëzoi. Megjithatë, Zhegrova ishte i vendosur të luante sërish te Baseli dhe skuadrat më në fund kanë arritur marrëveshje.

Në pranverë të vitit 2019, Zhegrova luajti tetë ndeshje në Superligën e Zvicrës, pa lënë gjurmë. Në edicionin 2019/2020 nisi të japë kontribut të vlefshëm për skuadrën. Në 14 ndeshje realizoi dy gola e tri asistime.

Te Baseli, ku luajnë edhe disa futbollistë shqiptarë, e kanë vlerësuar të vlefshëm Zhegrovën, ndonëse fillimisht nuk e shfrytëzuan të drejtën. Zhegrova kishte kontratë me Genkun deri në fund të edicionit aktual.

“Ne jemi shumë të lumtur që mund të mirëpresim Edonin sërish në Baseli. Ishte me rëndësi të këmbëngulim në këtë çështje – një lojtar si Edoni është i mirë për skuadrën tonë dhe ne jemi të bindur se ai do të sjellë shumë gëzim për tifozët”, ka thënë presidenti i Baselit, Bernhard Burgener.

Zhegrova ka përsëritur se te Baseli ishte i lumtur.

“Kam pasur kohë të shkëlqyeshme te Baseli edicionin e kaluar dhe jam shumë i lumtur që gjërat kanë lëvizur dhe se mund ta vesh sërish fanellën e skuadrës. Së bashku me trajnerin e ri dhe bashkëlojtarët, dua ta ndihmoj ekipin të arrijë sukses. Do të bëj çdo gjë për këtë”, ka theksuar Zhegrova.

Gjithsej Zhegrova ka luajtur 27 ndeshje për Baselin. Për Kosovën i ka 17 ndeshje.

Te Baseli luajnë edhe Jozef Pukaj, Elis Isufi, Albian Hajdari, Orges Bunjaku, Taulant Xhaka, Tician Tushi e Kemal Ademi.

Në xhiron e parë të kampionatit të ri të Zvicrës, Baseli barazoi 2:2 me Vaduzin.