Vetëvendosje kërkon që Hoti të raportojë në Kuvend për “100-ditëshin e dështimeve”

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që kryeministri Avdullah Hoti të ftohet për raportim në Kuvend për “dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës”.

Kjo parti ka njoftuar të martën se nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që të ftojë për raportim Hotin për shkak se “këto 100 ditë qeverisje janë përcjellë nga vendime të dëmshme për interesat shtetërore të Kosovës, paaftësi për të qeverisur në interes të qytetarëve dhe koncesione të shumta për Serbinë”.

“Që në ditët e para, kjo qeveri jolegjitime mori vendim për heqjen e reciprocitetit me Serbinë, në kohën kur Serbia kishte filluar të pranonte dokumentet me mbishkrimin ‘Republika e Kosovës’. Në planin e brendshëm, ajo dështoi për të menaxhuar situatën me pandeminë COVID-19. Nga pothuajse zero të infektuar në ditët kur mori detyrën e shndërroi vendin në një vatër të infeksionit në Evropë. Nga shembulli i menaxhimit të vlerësuar në nivel global, e nxori Kosovën në krye të listave të vendeve me gjendjen më të rëndë me COVID-19, e numrin më të madh të vdekjeve në botë. Paaftësi dhe mungesë efikasiteti dëshmoi edhe në planin social dhe ekonomik. Me deklarata kontradiktore për pako të rimëkëmbjes prej 1.2 miliard eurosh, ajo dështoi të ekzekutojë për një kohë të gjatë edhe masat nga Pakoja Fiskale Emergjente të nisura nga Qeveria Kurti. Në drejtim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe shëndetit publik, kjo qeveri braktisi qytetarët e infektuar me COVID-19 duke hequr dorë nga përgjegjësia e shtetit për t’i testuar pa pagesë. Qytetarët, përkundër përkeqësimit të gjendjes ekonomike për shkak të pandemisë, u detyruan të testohen në laboratorët privatë me çmime astronomike”, thuhet në arsyetimin e VV-së.

Kjo parti tutje ka thënë se “në planin ndërkombëtar kjo qeveri filloi me pezullimin antikushtetues të së drejtës së Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare”.

“Kjo u bë sipas interesit dhe kërkesës së Serbisë. Për të vazhduar edhe më tutje shkaktimin e dëmeve për Republikën nga zotimet e njëanshme në takimin e 4 shtatorit për të ndarë shfrytëzimin e liqenit të Ujmanit, pronë e Kosovës, pranimin e marrëveshjes së Novi Sadit, të ashtuquajtur minishengen, devijimin e infrastrukturës hekurudhore, e deri tek qëndrimet se do të zbatohet marrëveshja antikushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagimin e VV-së.

Vetëvendosje ka kritikuar Qeverinë Hoti edhe për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, për “të cilat u mbajtën duke e konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë; filloi rikthimin e kapjes së ndërmarrjeve dhe kompanive publike; ndërpreu procesin për vënien në binarë të ligjshmërisë dhe të integritetit në shërbimin e jashtëm dhe diplomaci; manifestoi mungesë strategjie dhe plani për fillimin e vitit të ri shkollor”.

Sipas VV-së, për 100 ditë qeverisje, Qeveria Hoti ka marrë veprime për të penguar procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë.

Kjo parti ka vlerësuar se vendi është futur në kaos dhe është kthyer mendësia “keqqeverisëse”.

“Ajo vazhdon të rrezikojë përditë interesat shtetërore, qoftë duke vënë në dyshim sovranitetin dhe integritetin në planin e jashtëm, qoftë duke cenuar karakterin unitar të shtetit përmes planeve për themelimin e ‘Zajdenicës’”, përfundon njoftimi i VV-së.

Image