Të njohur për sistemin e drejtësisë për të njëjtat vepra penale janë shumë nga personat e arrestuar të premten në Karaçevë. Kjo është theksuar në kërkesën e Prokurorisë në Gjilan, drejtuar gjykatës për caktimin e masës se paraburgimit për 30 nga 35 të arrestuarit.
Kërkesa është aprovuar nga gjykatësi i procedurës paraprake. Një nga arsyet që ka përmendur prokurori për mbajtjen e tyre në paraburgim është edhe fakti që, sipas tij, disa nga anëtarët e këtij grupi janë të njohur për drejtësinë për kryerjen e veprave të tilla penale.
“Kemi karakteristikat personale të të pandehurve, pasi që të njëjtit kanë treguar vendosmëri në kryerjen e këtyre veprave penale pasi që me marrëveshje dhe përgatitje paraprake në mes vete në mënyrë të vazhdueshme kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë, po edhe faktin se të njëjtit janë recidivistë të veprave penale të natyrës së njëjtë apo të ngjashme, gjë që vërtetohet edhe nga dosjet e tyre personale që ndodhen në shkresat e lëndës “, thuhet në kërkesën për masën e paraburgimit. Te informatat për kryerjen e veprimtarisë kriminale në këtë pjesë, sipas dokumentit, ka ardhur pasi janë bërë përgjimet telefonike.
“Transkriptet e përgjimit telefonik të të pandehurve: Driton Spahiu , Florian Sylejmani , Naim Kryeziu , Sead Dërmaku , Enis Keka , Agron Spahiu , Blend Spahiu , Albert Thaqi , Shefik Sadiku , Fadil Spahiu , Blerim Spahiu, Fatmir Spahiu, Vigan Spahiu dhe Albert Sadiku, raportet e aplikimit të masave të fshehta të vëzhgimit, videoincizimet nga këto masa, vërtetimet mbi sekuestrimin e sendeve, procesverbalet nga AUV, fotografi nga vendi i ngjarjes“, numërohen provat për këtë rast. 30 persona, 12 nga ta policë, po hetohen për vepra të ndryshme penale. “Baza ligjore për caktimin e paraburgimit nga 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së për caktimin e paraburgimit qëndron në peshën e veprave penale, po edhe të përfshirëve në këtë çështje penalo-juridike pasi që në rastin konkret kemi të përfshirë zyrtarë policor, të cilët në mënyrë direkte po edhe indirekte janë të involvuar në këto vepra penale, po edhe me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë kontribuar në zhvillimin dhe lulëzimin e fenomeneve negative, si kontrabanda, korrupsioni, lojërat e fatit, prostitucioni, përdorimi i substancave narkotike, dhuna fizike”, thuhet në kërkesën e prokurorit.