Gazetarja kosovare, Jehona Zhitia ka vendosur të rrëfejë për gjithë luftën e saj shëndetësore me COVID-19.
Ajo ishte infektuar pas disa muajve që kishte raportuar për cdo ditë rreth gjendjes me të cilën po ballafaqohej vendi dhe gjithë globi.
Zhitia në rrëfimin e saj tregon për ditë më të vështira që kishte kaluar sa ishte e infektuar, për më tepër kishte qaste që ishte ndjerë e pafuqishme.
Ju sjellim rrëfimin e saj të plotë:
Ato pesë shkronja që i kisha përmendur qindra mijëra herë gjatë pesë muajve të raportimit, e për të cilat kisha folur vetëm keq, kishin vendosur të më hakmerreshin. Kur u gjenda më pak e rrezikuar, organizmi nisi të luftonte me diçka të pazakontë, të paktën gjer në ato çaste.
Vërtetësinë se trupi im po përballej me diçka të padëshirueshme e dha Instituti i Shëndetësisë.
Ishte e shtuna e dytë e gushtit, kur dëshpërimisht iu dorëzova njoftimit se edhe unë isha e prekura, në mesin e 190 të tjerëve të cilëve u kishte nisur dita mbrapsht. Një statistikë kjo për të tjerët që rastet pozitive i matnin me peshoren ‘pak’ ose ‘shumë’. E vërteta ishte se ditët kur unë nisa këtë luftë të pabarabartë, dominonte vetëm fjala ‘shumë’. Duke mos e bërë veten të ligë para fëmijëve e bashkëshortit, të tre negativë, vendosa që përpëlitjet e para të shkaktuara nga ‘i huaji’, i cili po gjente labirinthe për t’u fshehur në organizmin tim, t’ia ‘qerasja’ vetes me hezitimin për të mos i ndërruar vendbanim virusit.
Teksa mushkëritë i ishin dorëzuar sëmundjes, pjesa tjetër e brendësisë, e ndihmuar nga qesja varur, po orvatej t’i bishtënonte armikut. Porse s’po ia dilte.
Me gjendjen që rëndohej dita-ditës, u zbut edhe kokëfortësia ime për të mos hyrë sërish në Infektivë, këtë herë si paciente.
Mëngjesi i 20 gushtit më zbardhi nën dritat neon në dhomën nr. 3 të repartit E të Klinikës. Pika që shoqëronin njëra-tjetrën e që po e sulmonin me krejt artilerinë mjekësore vendndodhjen e armikut, por edhe tingujt shpresëdhënës që lëshonin aparaturat e pakta në hapësirën të cilën e ndaja edhe me një paciente, tregonin se sa e vlefshme ishte jeta, se sa të pazotë jemi kur na sulmon diçka, qoftë edhe mijëra e mijëra herë më i vogël se vetë ne.
Ditët vijuese nuk sollën përmirësimin që prisja. Përkundrazi, gjendja rëndohej e krahas saj, për herë të parë nisa ta mendoja më të keqen. Në njërën prej mbrëmjeve, kur infermierja mundohej me batuta të më dispononte, unë thuajse i kisha humbur shpresat se do t’ia dilja. Ishte ky ai momenti kur ndihesh krejt e pafuqishme dhe e rrënuar gjer në palcë. Gjithçkaje iu zvogëlua vlera, aq sa peshonte vetëm me një frymëmarrje. Arritjet, shkollimi, puna, angazhimi, karriera, nuk kishin më asnjë rëndësi.
Ajo ishte nata më e keqe e disa prej të tillave që i kalova në atë shtëpi të bardhë.
Dyjavëshi, pas të cilit shumica e shpallnin fitoren përballë së keqes, më gjeti të shtrirë në Infektivë, e rrethuar nga një staf i përkushtuar e për të cilin isha bërë ‘rast studimi’ pas shfaqjes së një alergjie, e paparë tek pacientë të tjerë.
Pavarësisht gjendjes jo të kënaqshme, pas konfirmimit se më nuk isha ‘pozitivja’ e asaj dhome, mjekët u pajtuan që trajtimin ta vazhdoja në banesë, e cila më shumë i ngjante një barnatoreje, muret e së cilës nuk ishin mveshur kurrë më parë me aromë medikamentesh: shiringa, ampula, qese infuzioni etj.
Edhe gjatë kësaj kohe, nuk pushoi interesimi i miqve dhe të afërmve për shëndetin tim. Shumica prej tyre ishin pjesë imja, e kësaj ëndrre të keqe të cilën u detyrova ta shihja. Nuk u ndanë nga unë përmes komunikimit virtual, ashtu siç bënë bashkëshorti e fëmijët duke më qëndruar pranë fizikisht.
U desh kohë që ta merrja guximin e ta përqeshja armikun, pasi nuk isha e sigurt se ai s’do të kthehej për t’u revanshuar për goditjen që i kishte dhënë organizmi im.
Sot, e forcuar dhe e rrethuar nga familjarë e miq, e shikoj me mospërfillje atë keqbërës, si tytën e një ushtari që është i shtrënguar të qëllojë edhe të pafajshëm.
Ai do të jetë armiku im, edhe pse s’jeton më tek unë. Do të vazhdoj ta sfidoj në formën si e kam bërë nga muaji mars. Gjersa të vijë dita kur askush prej nesh mos ta përmendë atë emër të lig, siç veprova dhe unë në këtë rrëfim!