Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se situata me koronavirus në shkollën “Mustafë Venhari” në Vushtrri nuk është e mirë. Disa arsimtarë e nxënës kanë rezultuar pozitivë.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj thotë duke pasur parasysh hulumtimin aktiv epidemiologjik dhe mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike, IKSHPK’ja ka bërë testimin e të gjithë arsimtarëve dhe nxënësve të klasës së pestë të shkollës “Mustafë Venhari” në Vushtrri, ku më pas disa kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Nuk ka treguar për sa persona bëhet fjalët, megjithatë ka njoftuar se është rekomanduar që në këtë shkollë të zhvillohet skenari “C”.
“IKSHPK ka rekomanduar që mësimi në këtë shkollë nga skenari “A” të kaloj në skenarin “C”, mësim online”, shkruan Zemaj, duke shtuar se testimi i mësimdhënësve, por edhe i nxënësve nëse vërehen simptoma, do të vazhdoj por nëse duhet, do të bëhet ritestimi i tyre.
Shkrimi i plotë i Zemajt në Facebook:
Përderisa edhe sot Kosova po shënon zero raste të vdekjeve të pacientëve të infektuar me Covid 19 si dhe një shifër relativisht më të mirë sa i përket të të infektuarve me Covid 19, ku nga 643 teste, 63 janë pozitiv, në shkollën “Mustafë Venhari” në Vushtrri nuk është situata që dëshirojmë.
Duke pasur parasysh hulumtimin aktiv epidemiologjik dhe mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike, IKSHPK ka bërë testimin e gjithë arsimtarëve dhe nxënësve të klasës së pestë të shkollës “Mustafë Venhari” në Vushtrri, ku më pas disa kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.
IKSHPK ka rekomanduar që mësimi në këtë shkollë nga nga skenari “A” të kaloj në skenarin “C”, mësim online.
Të nderuar nxënës, mësimdhënës, prindër,
Testimi i mësimdhënësve, por edhe i nxënësve nëse vërehen simptoma, do të vazhdoj por nëse duhet, do të bëhet ritestimi i tyre.
Kërkoj nga ju që të jemi bashkëpunues dhe të gjithë së bashku të punojmë për të mirën e fëmijëve tanë e mos përsëriten raste të tilla.
Duke i ndihmuar njëri tjetrit, të gjithë i ndihmojmë shëndetit publik!