Pesë skuadra shqiptare të futbollit, të enjten (sot) do të paraqiten në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, për të tentuar kualifikimin në raundin e tretë të garës së dytë për nga rëndësia në futbollin evropian. Kukësi, Teuta dhe Laçi do ta përfaqësojnë Shqipërinë në raundin e dytë derisa Shkëndija dhe Renova janë dy ekipet e tjera shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Punën më të vështirë prej ekipeve shqiptare në këtë raund e ka nënkampioni i Shqipërisë, Kukësi. Skuadra e Kukësit që në rrethin e parë eliminoi Slavia Sofian e Bullgarisë (2:1), do të përballet me ekipin nga Bundesliga, Wolfsburgun.
Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës dhe nis në orën 20:00. Një ditë para duelit me Wolfsburgun (të mërkurën), Kukësi ka marrë lajme të mira pasi të gjithë futbollistët dhe stafi kanë rezultuar negativë në testin për koronavirus. Te Wolfsburgu aktivizohet sulmuesi shqiptar Admir Mehmedi që pritet të luajë në këtë ndeshje. Trajneri i Wolfsburgut, Olivier Glasner, ka thënë se e ka pasur të vështirë të shohë ndeshje të Kukësit. Ai ka pranuar se ka arritur të shohë vetëm një ndeshje të Kukësit derisa punën edhe më shumë ia ka vështirësuar ndërrimi i trajnerit te ekipi shqiptar dhe shtyrja e fillimit të kampionatit në Shqipëri.
“Ishte e vështirë të gjeja informacion. Kjo për shkak se java e parë është shtyrë dhe ne i kemi parë vetëm në një ndeshje, atë në Evropë. Kukësi ka ndryshuar trajnerin dhe e kemi pasur të vështirë të shikonim ndeshje të tyre. Qëllimi ynë është pa dyshim kalimi në raundin tjetër. U takon lojtarëve të na ndihmojnë për ta arritur këtë”, ka deklaruar Glasner në konferencën për media.
Krahas Kukësit, edhe Teuta e Durrësit do të ketë një ndeshje të vështirë pasi do të përballet me ekipin nga La Liga, Granadan. Ky duel luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe nis në orën 16:00. Granada në një shkrim në uebfaqen zyrtare ka informuar tifozët për Teutën, kurse kapiteni i ekipit spanjoll, Victor Diaz, ka thënë se janë të gatshëm për ndeshjen që duan ta fitojnë për të vazhduar tutje në Ligën e Evropës.