Liga e Evropës: Drita në kërkim të rundit të tretë kundër Sileks

Drita do të përballet me klubin e shtetit fqinj, Sileks, sot në Shkup, në përpjekje për të mbetur në garë për ta siguruar pjesëmarrjen në një garë evropiane për herë të parë në histori të futbollit kosovar.

Kampionia e Kosovës Drita ka udhëtuar drejt Shkupit për t’u përballur me Sileksin në ndeshjen e rrethit të dytë kualifikues për pjesëmarrje në Ligën e Evropës.

Takimi nis në orën 20:00 dhe luhet në stadiumin e zbrazët Todor Proeski.

Kjo është përballja e parë kokë me kokë mes Dritës dhe Sileks.

Duke folur të mërkurën në një konferencë për media para këtij takimi, trajneri i klubit nga Gjilani, Adrian Nuhiu, tha se Sileks mund të jetë në formë më të mirë se skuadra e tij, duke qenë se sezoni i ri në kampionatin e Maqedonisë së Veriut ka nisur tashmë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, Sileksi ka bërë ndeshje të mira viteve të fundit, gjithashtu janë në përparësi sepse janë në ritëm të ndeshjeve pasi ka filluar kampionati ne Maqedoninë e Veriut për dallim nga ne që ende nuk kemi filluar kampionatin dhe nuk kemi pas të drejtë të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore”, tha Nuhiu.

“Gjithsesi ne jemi gati për këtë ndeshje, do te bëjmë maksimumin, futbollistet janë gati dhe besoj shumë në grupin e lojtarëve”, shtoi ai.

Drita e zhvilloi vetëm një ndeshje miqësore këtë muaj, kundër Skënderbeut, të cilin e mundi bindshëm 4:1.

Klubi kosovar erdhi në rundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës, pasi dështoi në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, duke e humbur ndeshjen e rrethit të fundit parakualifikues me rezultat zyrtar 3:0 kundër Linfield, për shkak të numrit të madh të lojtarëve të prekur me koronavirus.

Drita është klubi i vetëm kosovar i mbetur në garë për ta siguruar pjesëmarrjen në një garë evropiane këtë vit, pasi Prishtina dhe Gjilani dështuan në rundet e kaluara.