Shkon në 85 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoni

Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 85.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë ditës të shtunës janë regjistruar edhe 9 raste të reja me Covid-19. Raste me koronavirus deri më tani janë regjistruar në Shkup, Dibër, Shtip, Kavadar, Gostivar dhe Ohër.

“Pacienti i vetëm që është nën aparat të frymëmarrjes, është në fazë kritike. Të gjithë pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme. Të gjithë pacientët që po i nënshtrohen trajtimit shtëpiak janë në kontakt të vazhdueshëm me klinikat”, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në vetizolim janë mbi 4 mijë persona ndërsa qeveria ka njoftuar se në dispozicion të personave të prekur janë vendosur të gjitha objektet shtetërore, por edhe hotele.

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se 2300 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë të bllokuar në shtete tjera dhe se për evakuimin e tyre nga e hëna do të organizohen fluturime humanitare me qëllim kthimin e tyre në vend dhe vendosjen në karantinë si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.