Klinika e Pulmologjisë, e cila qe disa muaj është dedikuar për trajtim të pacientëve me COVID 19, është vendi ku mungojnë kushtet elementare higjienike.
Në një konkludim të tillë ka ardhur Ekipi për Kontroll dhe Parandalim të Infeksioneve Spitalore.
Kjo trupë ka bërë inspektim në tri klinika, atë të Pulmologjisë, Mjekësisë Sportive dhe në Klinikën e Neonatoligjisë.
Nga të tri klinikat, ekipi siç edhe e thotë vetë tekstualisht në raport, në Pulmologji kanë mbetur pa koment për kushtet në të cilat po trajtoheshin pacientët, raporton KOHA.
“Gjatë inspektimit në këtë klinikë mund të themi se ne si ekip për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore kemi mbetur pa koment”, thuhet në raport.
Në raport, një kopje të të cilit e ka edhe KOHA, janë dhënë vërejtje të shumta për këtë klinikë.
Dy vërejtjet e para lidhen me atë sa janë të mbrojtur mjekët dhe infermierët në klinikë dhe sa kujdesen ata që të mos e bartin infeksionin.
“Nuk posedon zonë të filtrit të veshjes dhe zhveshjes në tërë klinikën për infermier; Veshja dhe zhveshja nga stafi shëndetësor bëhet në mënyrë individuale ashtu si të munden: jashtë në oborre, në korridore e bodrume”, thuhet tutje aty.
Ekipi në ditën e kontrollit ka hasur në një infermiere që po pastronte dyshemenë.
“Infermierja që punon në Rentgen të Pulmologjisë pa masa mbrojtëse merr xhokerin dhe pastron korridorin”.
Problem është detektuar me qeset e mbeturinave, të cilat, sipas raportit, nga punëtorët ndihmës barten pa asnjë mbrojtje.
Mbeturinat e klinikës se dytë me numrin më të madh të pacientëve me COVID-19, sipas raportit, kanë përfunduar në kontejnerët e zakonshëm.
“Menaxhimi i mbeturinave të rrezikshme nuk është aspak korrekt, po ashtu nga kjo klinikë mbeturinat hidhen te kontejnerët e mbeturinave të zakonshme, në mungesë të kontejnerit të posaçëm”, thuhet më tej në raport.
Në Repartin B të Klinikës, sipas raportit, në kohë pandemie infermierët e marrin analizën e gjakut te pacientët me COVID-19 pa dorëza, e në raste kur përdoren dorëzat ato hidhen vend e pa vend.
Probleme janë detektuar edhe tek trajtimi i pacientëve, si në rastet kur për oksigjenoterapinë kujdesen familjarët e jo stafi shëndetësor.
Raporti flet edhe për shoqëruesit e shumtë të pacientëve në këtë klinikë, e për të gjitha këto thonë se kanë dëshmi.