Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër, pas vendimit për ulje të dënimit për Pjetër Ndrecajn, i shpallur fajtor për vrasjen e gruas dhe vajzës së saj.
Në një shkrim në Facebook, Haxhiu, ka thënë se ndihet e shokuar për këtë vendim, teksa shton se ky aktgjykim është aq skandaloz sa tregon se jeta e gruas e fëmijëve nuk është e vlefshme për institicionet e drejtësisë.
Tutje, Haxhiu thotë se asnjëherë më shumë nuk ka pasur nevojë për shtetin e së drejtës në Kosovë.
Shkrimi i plotë nga Albulena Haxhiu:
Jam e shokuar me uljen e dënimit për vrasësin e të ndjerës Valbonës dhe vajzës së saj!
Ky aktgjykim është padrejtësia e radhës ndaj grave. Ky aktgjykim është aq skandaloz sa tregon se jeta e gruas e fëmijëve nuk është e vlefshme për institicionet e drejtësisë. Në vend se institucionet e drejtësisë të jenë vendi ku triumfon drejtësia ato janë shndërruar në zyra për pazare e vendime të turpshme ku amnistohen kriminelët e inkurajohen të tjerë për veprime kriminale!
Asnjëherë më shumë nuk kemi pasur nevojë për shtetin e së drejtës!