Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur procedurat për ta sistemuar në pozitën ku ruhen informatat shtetërore zyrtarin që ishte dënuar me vendim të plotfuqishëm, nën akuzën se ishte pjesë e planit për arratisjen e një të burgosuri që akuzohej për trafikim me lëndë narkotike.
Zyrtari Petrit Mustafa që tani punon vetëm në Departamentin e Diasporës, ishte dënuar në vitin 2018 me gjashtë muaj burgim, por ky dënim i ishte zëvendësuar me gjobë prej 2800 eurosh. Duke i dhënë ryshfet gardianit në Burgun e sigurisë së lartë në Dyz, Mustafa ishte bërë pjesë e planit për ta nxjerrë prej aty kriminelin e shumëkërkuar nga INTERPOL-i, Mario Millosheviq.
Tani Mustafa ka kërkuar të integrohet në Departamentin e Teknologjisë Informative pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Por “Koha” merr vesh se atij ende nuk i është bërë verifikimi i sigurisë.
Sipas burimeve, Ministria e Jashtme e ka dërguar aplikacionin në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për ta pajisur zyrtarin me leje të sigurisë, por që ende nuk ka marrë një përgjigje.
“Koha” mëson se në formularin që është duke e trajtuar AKI-ja, Mustafa pretendon që nuk ka qenë në dijeni se është fjala për një të kërkuar nga INTERPOL-i kur ka vendosur të japë ryshfet për tentim-arratisjen e Millosheviqit.
“Koha” gjatë javës ka pyetur Mustafën, por edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me rastin, por nuk ka marrë përgjigje.
Mustafa, si zyrtar i IT-së, ishte në marrëdhënie me Ministrinë e Diasporës që nga marsi i vitit 2012. Pas arrestimit, ai vetëm ishte pezulluar me 50 për qind të pagës nga data 8 nëntor 2018 deri më 28 shkurt 2019.
Rregullorja e Qeverisë përcakton kriteret për zhvillimin e procedurës së verifikimit të sigurisë ndaj personave që kanë qasje, administrojnë dhe qarkullojnë informacione të klasifikuara. Ndërkaq “Leja e Sigurisë” është dokumenti i lëshuar nga Autoriteti Verifikues, këtë rast AKI-ja që i jep të drejtën mbajtësit të ketë qasje tek informacionet e klasifikuara.
“Leja e Sigurisë”: Është dokumenti i lëshuar nga Autoriteti Verifikues, këtë rast AKI sipas modelit të përcaktuar, që i jep të drejtën mbajtësit të ketë qasje tek informacionet e klasifikuara brenda afateve të vlefshmërisë dhe në kuadër të përmbushjes së detyrave të tij.
“4. Autoriteti Verifikues në bazë të kërkesës së drejtuesit të institucionit publik dhe kur gjen të plotë dokumentacionin individual të çdo aplikanti ka të drejtë të kërkojë informacion nga institucionet publike relevante për të kaluarën e personit që i nënshtrohet procedurës së verifikimit.
Sipas rregullores, konsiderohet rrezik i papranueshëm sigurie për informacionin e klasifikuar, kur gjatë aplikimit të procedurave të verifikimit të sigurisë rezulton se zyrtari është i angazhuar në veprimtari të krimit të organizuar, spiunazhi, terrorizmi apo sabotazhi. Ai po ashtu nuk guxon të jetë i përfshirë në rrethin e lidhjeve të ngushta shoqërore me persona që kryejnë veprimtari të tilla.
15.1. Është i/angazhuar ose tenton të angazhohet në veprimtari spiunazhi, terrorizmi, sabotazhi, tradhtie, rebelimi, krimit të organizuar.
15.2. Është ose ka qenë i përfshirë në rrethin e lidhjeve të ngushta shoqërore të personave që kryejnë veprimtari spiunazhi, terrorizmi, sabotazhi, ose të individëve që mbështetur në të dhëna të vërtetuara, dyshohet se janë të tillë, me përjashtim të rasteve kur shoqërimi është bërë për shkak të detyrave zyrtare.
“Koha Ditore” pati raportuar se Mustafa kishte krijuar njohje me Mario Millosheviqin në kohën kur ai po qëndronte në mënyrë ilegale në veriun e populluar me shumicë serbe.
Serbi me shtetësi malazeze ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në korrik të vitit 2018 në Prishtinë së bashku me tre persona të tjerë, si të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të substancave narkotike. Aksioni dhe arrestimi ishin kryer në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi.
Me qëllim që t’i mundësonte serbit Millosheviq arratisjen nga burgu, Mustafa i kishte ofruar gardianit Stefan Veliçkoviq dy herë nga 1.500 euro, një telefon Nokia dhe një Iphone.
Pas marrjes së ryshfetit, Veliçkoviq kishte tentuar t’ia mundësonte arratisjen Millosheviqit nga burgu, por ishin kapur nga Policia.
Për Millosheviqin, INTERPOL-i kishte lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
Millosheviq gjithashtu dyshohet për vrasjen e Cetinjan Radomir Gjuriçkoviqit në tetor të vitit 2016. Në fund të vitit 2019, Millosheviq është ekstraduar në Mal të Zi.