Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se Kosova në aspektin ekonomik nuk humb asgjë nga mini-Schengeni.
Ai thotë se mini-Schengeni mund t’i eleminojë problemet që Kosovës po i shkaktojnë vendet e tjera në aspektin ekonomik, por nëse ai nuk trajtohet nga ai politik, i cili sipas tij do të ngadalësojë efektet ekonomike për vendin.
“Me Kosovën nuk ka asnjë vend problem, as pritjen në kufi, as kalimin me leternjoftima, as barriera jo-tarifore e as ndonjë problem tjetër të natyrës së mospranimit të dokumentacionit. Ne kemi me tjerët dhe nëse mini-shengeni arrin me na i eleminu ne këto problem që i kemi me tjerët, sigurisht se mund të ketë efekt pozitiv. Por, nëse trajtohet vetëm si projekt politik nga BE-ja me e ngadalësu ritmin ose me e ulë apetitin e vendeve për anëtarësim në BE, ndërsa nga këto vende të rajonit tentohet me u promovu vetëm si projekt politik atëherë efektet ekonomike do jenë zero”, ka thënë ai në Interaktiv.
Rukiqi thotë se ka tendencë që të krijohet pritje këtë proces për shkak të anës politike që ka marrë.
“Nëse shihet çfarë po ndodhë në BE ka një tendencë me u kriju kjo paradhoma, pritja, është mundu me u kriju me CEFTA, ajo nuk ka arritë me i zgjidhë të gjitha problemet tregtare, tash po tentohet me shku një shkallë më tutje, me kriju një treg të përbashkët rajonal që integrohet më lehtë në BE”, shton ai.