Kryeministri Avdullah Hoti është ftuar për raportim në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, deputete e VV-së.
Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hoti është ftuar për të raportuar lidhur me dhënien e pëlqimit për hapjen dhe operacionalizimin e vetëm të pikës kufitare në Merdare, sipas VV-së duke e trajtuar atë si, “pikëkalimi dhe jo si pikë kufitare në mes të dy shteteve”.
“Po ashtu shpërfillja e hapjes edhe të pesë pikave tjera kufitare përgjatë vijës kufitare lë hije dyshimi të trasimit të rrugës për planet e Serbisë për të pamundësuar qasjen e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore qoftë edhe përmes qarkullimit nëpërmjet pikave kufitare”, thuhet në njoftimin e VV-së në Facebook.
Përveç Hotit, në raportim është ftuar ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi. Njoftohet se Abrashi është ftuar në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, lidhur me “zotimet e dhëna në takimin e 4 shtatorit në Uashington për ndërtimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë në drejtim të Merdares, duke devijuar linjën hekurudhore për në Leshakë”.
Sipas VV-së, ngjashëm me hapjen e vijës kufitare vetëm në Merdare, edhe akset rrugore dhe hekurudha në drejtim të njëjtë po bëhet ndër të tjera për të shmangur kontrollin e Kosovës mbi veriun.
“Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore në Kosovë duhet t’i përgjigjet interesave të shtetit të Kosovës dhe popullit të saj. Këto nuk duhet të konceptohen e ndërtohen si infrastrukturë që mundësojnë pretendimet e Serbisë dhe që pengojnë interesin e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit”, thuhet tutje.
Deputetët e VV-së, ditë më parë kanë dorëzuar edhe kërkesa të tjera për raportim në komisione parlamentare lidhur me politikën e jashtme, ekonominë, të pagjeturit, Ujmanin e tema të tjera.