Fillimi i mësimit do të bëhet me dy faza, e para nis më 14 shtator kurse e dyta më 21

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021. Por pavarësisht përgatitjeve, MASH-i, është në pritje të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH), që të nxjerrin vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor. Kështu deklaroi sot ministri i Arsimit, Ramë Likaj.

Fillimi i vitit të ri shkollor është paraparë të nis më 14 shtator, dhe MASH-i ka planifikuar të fillojë me dy faza, ka bërë të ditur për Telegrafin, Enver Osdautaj këshilltari i ministrit Likaj.

“Ministria ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 më datë 14 shtator. Mësimi kemi planifikuar ta fillojmë me dy faza. Faza e parë fillon më 14 shtator kurse e dyta fillon më 21 shtator”, ka thënë Osdautaj, duke shtuar se të gjitha specifikat do të bëhen publike në vendim.

 Ai ka bërë të ditur se sot do të zhvillojnë një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit.

“Sot kemi takim me drejtorët e DKA-ve dhe së bashku do të përcaktohemi edhe për fazat dhe për përballje me sfidat që na presin shkaku i pandemisë”, u shpreh Osdautaj.

Këshilltari i ministrit të Arsimit theksoi se prioritet i ministrisë është shëndeti i nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë personelit arsimor.

Ndryshe, tashmë kanë filluar edhe testime për COVID-19, i 1500 mësimdhënësve për të parë gjendjen e tyre shëndetësore.

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani për të parë se cili do të jetë rekomandimi i IKSHPK-së për Ministrinë e Arsimit lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës më 27 gusht, mori vendim që mësimi në Kosovë të fillojë më 14 shtator, për të vazhduar pastaj me fazat e parapara sipas ministrisë.