Rrezikshmëria e vdekjes te personat që pinë duhan dhe infektohen me COVID-19 është shumë më e lartë.
Në Spitalin Regjional të Prizrenit, në Klinikën e Pulmologjisë, shumica e duhanpirësve të infektuar me koronavirus, kanë përfunduar me oksigjeno-terapi.
Nga 47 pacientë që kanë qenë të shtrirë në këtë klinikë, gjatë muajit gusht, 28 kanë qenë duhanpirës, prej tyre vetëm dy femra.
Pulmulogia Sevim Brina, ka bërë thirrje që tani është koha e duhur që personat që konsumojnë duhan të heqin dorë nga pirja e tij.
Personat e infektuar me koronavirus po trajtohen edhe në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.
E për dallim nga ajo e Prizrenit, kjo klinikë nuk ka të dhëna se sa nga pacientët e infektuar janë duhanpirës.
Megjithatë Rukije Mehmeti, drejtoreshë e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, ka thënë të kenë pranuar pacientë duhanpirës dhe rrezikshmëria për të humbur jetën ka qenë e lartë.
Mehmeti ka arsyetuar edhe praninë e familjarëve të pacientëve, që nuk janë të paktë në numër brenda hapësirave të kësaj klinike.
R.L ka pesë ditë që është hospitalizuar në këtë klinikë.
Ajo ka qenë konsumuese e rregullt e duhanit për 20 vjet me radhë.
Sot kur po ballafaqohet me COVID-19 thotë se është e lumtur që ka hequr dorë nga pirja e duhanit para disa vitesh.
Por, disa nga pacientët e tjerë që po marrin trajtimin në këtë klinikë thonë se askush nuk i ka pyetur nëse janë konsumues të duhanit.
Ndërkohë, as Klinika Infektive nuk e di se sa nga personat të infektuar me COVID-19 të shtrirë në këtë klinikë konsumojnë ose jo duhan.