Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur marrëveshja mes Kosovës e Serbisë e nënshkruar në Uashington në praninë e Presidentit amerikan Donald Trump, por megjithatë ka shtuar se nuk ka asgjë të re.
Sipas kryeministrit Rama ky është një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy shteteve por se temat janë të procesit të Berlinit.
Më tej Rama ka shtuar se shqiptarët kanë humbur shumë kohë dhe dëmet janë të pallogaritshme.
“Lidhur me marrëveshjen ishte një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve. Ishte tejet e rëndësishme që u bë njohja e Kosovës nga Izraeli. Por përtej faktit që Izraeli njohu Kosovën, marrëveshja nuk ka asnjë gjë të re. Janë tema të stër diskutuar në procesin e Berlinit. E them këtë për një arsye shumë të thjeshtë. Për të kuptuar sa shumë kohë kemi humbur ne si shqiptarë në raport me çfarë sjell marrëveshja. Sjell një konfirmim të çka ka qenë aty për vite. Dhe refuzimi për të ecur në atë drejtim ka qenë vetëm humbje kohe. Ka dëme të pallogaritshme humbja e kohës nga patriotizmi farsë dhe nga një luftë imagjinare me një fqinj që ishte dje armik. Sot është një fqinj me të cilin shqiptarët kanë llogari të hapura për të adresuar po nuk mund të adresosh sikur je në luftë ndërkohë që je në paqe. Dhe të mos komunikosh për të adresuar llogaritë e hapur, që qëndrojnë për të mbushur pushkët imagjinare është të sakatosh popullin. Sofistikimi që sjell paqja . Në luftë është bardh e zi por jo në paqe. Të jesh ose i paaftë për të drejtuar ose cinik. Ajo që mbetet mbresëlënëse, qorr e shurdhëria e atyre që nuk duan të shohin e të dëgjojnë ndaj fakteve është çka e ka dëmtuar shqiptarët në përgjithësi.”
“Dëgjova njërin që tha nuk e lëshojmë detin. Por dua të them se e para e po të duash ta lëshosh nuk e lëshon dot. Kushdo që do donte nuk e lëshon dot se nuk ka asnjë mundësi dhe e treta mos u bëni qesharak dhe të poshtë. Ata që i fryjnë këtij zjarri nuk ka asgjë të vërtetë. “ tha Rama./tch