Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, katër vjet më parë i dha fund karrierës si futbollist. Ai i luajti 24 ndeshje për klubin e fundit në karrierë, Shkupin.
Por, Shkupi nuk ishte klubi i vetëm në Maqedoninë e Veriut për të cilin luajti shkupjani Nuhiu.
Më herët ka luajtur edhe për gjashtë klube të tjera të këtij vendi, Shkëndijën e Tetovës, Dritën e Bogovinës, Metalurgun, Rabotniçkin, Sllogën dhe Vardarin.
Si sulmues i luajti më shumë se 200 ndeshje. Shumë herë është përballur me skuadrën maqedonase, Sileks të Kratovës.
Me Sileksin është përballur edhe si trajner i Shkupit. Si trajner, me Sileksin ka bilanc negativ: dy fitore, një barazim e tri humbje.
Nuhiu shpreson që fitoren e tretë si trajner përballë Sileksit ta arrijë më 17 shtator. Ai tani drejton kampionen e Kosovës, Dritën.
Skuadra gjilanase do të luajë ndaj Sileksit në kuadër të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës.
Nuhiu e njeh forcën e Sileksit, për të cilin thotë se viteve të fundit është rritur si ekip.
Shkupjani beson në forcën e skuadrës së tij për të kaluar në rundin e tretë të Ligës së Evropës.
“Është përparësi për mua si trajner, pasi dy vjet më parë kam luajtur kundër tyre dhe e njoh mirë forcën që kanë”, ka thënë Nuhiu.