Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar ngjarjet e 7 shtatorit, kur ishte miratuar Kushtetuta e Kaçanikut.
I pari i vendit tha se vullneti i popullit dhe përfaqësuesve tonë politikë për liri dhe pavarësi ishte shekullor, transmeton lajmi.net.
“Ngjarjet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, të cilat dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese”, shkroi Thaçi në Facebook.
Thaçi deklaroi se Kushtetuta e Kaçanikut ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.
“Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte edhe bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë. Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet”, ka përfunduar Thaçi në statusin e tij në Facebook.