Gjendja e pacientëve me koronavirus në Klinikën Infektive po vazhdon të jetë e rëndë, por shpresë po iu jep rënia e numrit të rasteve pozitive.
Në mesin e të infektuarve ka edhe mjekë e infermierë, të cilët duke i trajtuar pacientët, u infektuan edhe ata.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se përkundër që këto ditë ka një rënie të numrit të pacientëve me COVID-19, ka edhe të pacientë me gjendje më të rëndë.
“Përkundër që ditëve të fundit që kemi rënie të numrit të pacientëve të cilat spitalizuar në Klinikën Infektive por kemi ende raste të rënda të cilat kërkojnë përkujdesje intenzive, për arsye se Klinika Infektive është në tendencë që të pranojë raste të rënda dhe të menaxhohet nga ana e infektologeve.
Një ndihmesë të madhe thotë se iu është dhënë edhe Klinikat tjera, të cilat po trajtojnë pacientë me COVID-19.
Ajo thotë se ndihmë shumë të madhe iu kanë dhënë Klinika Pulmologjisë, Klinika e Neurologjisë dhe Mjekimi Intenziv Qendror.
“Në kohën kur kishte fluks të madh të pacientëve dhe Infektiva ishte në kapacitet të plotë duke punuar. Në ndihmë shumë të madhe na kanë dalë Klinika Pulmologjisë shumë më herët, ndërsa edhe Klinika e Neurologjisë e cila i pranonte rastet e dyshimta dhe në momentet që konfirmoheshin, varësisht nga vendi transferoheshin në Pulmologji apo në Infektivë por që ka pasur raste edhe kur janë mbajtur edhe aty në Pulmologji”.
“Sa i përket Mjekimit Intenziv Qendror si MIQ COVID dhe Mjekësia Sportive, ndërsa tani më kemi filluar t’i bartim edhe në Klinikën e Neurologjisë, të cilët janë dyshimtë por tanimë do të pranohen në Pulmologji, e që gradualisht do të transferohen në Klinikën Infektive”, tha ajo.
Shqetësuese për të mbetet numri i madh i stafit shëndetësor i infektuar me këtë virus, teksa thotë se disa prej tyre tretmanin po e marrin pikërisht në Klinikën Infektive. Ajazaj-Berisha thotë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
“Deri më tani kemi një numër më të madh të stafit shëndetësor të infektuar mirëpo pjesa më e madhe e stafit infeksionin e kanë marrë jo brenda hapësirave të Klinikës por jashtë saj, normal kemi familje dhe mundësia e marrjes së këtij infeksioni është më i madh”.
“Për momentin një staf shëndetësor i cili është i spitalizuar në Klinikën Infektive dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë duke marrë trajtime dhe një staf ndihmës, i cili është duke u trajtuar në këtë Klinikë”.
Ajazaj-Berisha ka apeluar sërish që qytetarët t’iu binden rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.