Ndeshja e shqiptarëve

Kishin shpërthyer në festë mbi 15 mijë shikuesit në stadiumin “Qemal Stafa”, kur Edvin Murati realizoi gol që në minutën e dytë të ndeshjes. Festa ishte e jashtëzakonshme, si asnjëherë më parë, vetëm nëntë minuta më vonë. Adrian Aliaj realizoi supergol nga një goditje dënimi nga rreth 35 metra largësi.

Me golat e Muratit dhe Aliajt, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll po udhëhiqte 2:0 ndaj kampiones në fuqi të Evropës, Greqisë, që kishte befasuar të gjithë me triumf në evropianin “Portugalia 2004”, shkruan KOHA.

Me golin e Angelos Charisteas, Greqia kishte mposhtur Portugalinë në finale të Evropianit, më 4 korrik të vitit 2004. Dy muaj më vonë, Greqia e luante në Tiranë ndeshjen e parë zyrtare si kampione evropiane.

Ishte favorite e madhe ndaj Shqipërisë. Por selektori Hans-Peter Briegel, Foto Strakosha, Elvin Beqiri, Lorik Cana, Adrian Aliaj, Besnik Hasi, Klodian Duro, Altin Lala, Ervin Skela, Edvin Murati, Igli Tare, Florian Myrtaj, Mehmet Dragusha, Ardit Beqiri dhe të tjerët kishin plane tjera. Shqipëria e fitoi atë ndeshje të eliminatoreve për Botërorin 2006 me rezultatin 2:1.

Vazhdon të mbetet prej fitoreve më të mëdha të Shqipërisë. Si më e dashura për tifozët e shumtë të Shqipërisë, as që diskutohet.

“Ndeshje e shqiptarëve”, e ka quajtur takimin Shqipëria – Greqia, Adrian Aliaj, të premten për KOHËN.

16 vjet pas asaj disfate në Tiranë, Greqia bëhet gati për një ndeshje tjetër me shqiptarët. Të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë luhet ndeshja Kosova – Greqia. Ndeshja e Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s do të luhet pa shikues në stadium dhe emocionet as për së afërmi nuk do të jenë si ato të 4 shtatorit të vitit 2004.

Por ndeshja e ka peshën e vet. Kosova synon të kthehet në rrugën e duhur pas paraqitjes së zbehtë të enjten mbrëma ndaj Moldavisë në Parma. Ndeshja u mbyll 1:1. Të enjten barazoi edhe Greqia, pa gola në udhëtim ndaj Sllovenisë.

Është kjo ndeshja e parë e Kosovës me Greqinë. Shqipëria ka luajtur disa ndeshje me Greqinë, por ajo e 16 vjetëve më parë mbetet e veçantë. Këtë e pranon edhe Aliaj, që ishte mbrojtës i majtë te Shqipëria e tani është menaxher i suksesshëm i futbollistëve.

“Me plot gojën e them se ishte ndeshje e shqiptarëve. Ishte moment delikat, situatë delikate politike. Ishte edhe moment i rëndësishëm sportiv. Po luanim ndaj Greqisë që kishte fituar atë verë kampionatin evropian. E përsëris, ndeshje më të madhe shqiptaria nuk ka pasur. Atëherë Kosova nuk ishte e pranuar, kështu që them shqiptaria”, ka theksuar Aliaj.

Ai kujton atmosferën e jashtëzakonshme në stadiumin e rrënuar tashmë e të zëvendësuar me një arenë moderne.