Hoti takon Pompeon, flasin për marrëveshjen e arritur Kosovë – Serbi

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo.

Sekretari Pompeo e ka uruar kryeministrin Hoti për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Ndërsa, kryeministri Hoti, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Kryeministri Hoti, duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur sot në Shtëpinë e Bardhë, potencoi gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, në procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike.

Ndërsa, sekretari Pompeo theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.