I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka demantuar lajmin i cili u publikua nëpër mediet serbe, ku thuhet se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i është dorëzuar një letër sipas së cilës, Serbia duhet ta njohë sot Kosovën.
“Nuk është e vërtetë”, ka shkruar shkurt Grenell në Twitter, për lajmin i cili ishte konfirmuar edhe nga një ministër i Qeverisë së Serbisë.
Ministri i Financave, Sinisha Mali, konfirmoi informacionin dhe deklaroi se është “letra më e keqe se kurrë”, dhe sipas tij, njohja e ndërsjellë është pika e dhjetë nga 16 pikë.
“Ne kurrë nuk kemi marrë një letër më të keqe që nga fillimi i negociatave me Prishtinën. Kishte 16 pikë në letër, në tryezë, ku pika e 10 nënkuptonte njohje reciproke”, tha ai.
“Ekzistojnë gjithashtu tema ekonomike dhe ato që lidhen me infrastrukturën, autostradën, hekurudhat, ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në mënyrë që të rritet ekonomia e të gjithë rajonit”, tha Mali.
“Presioni është i madh, rreth njëzet njerëz po marrin pjesë në bisedime, jo vetëm shqiptarë. Ata reagojnë në mënyrë agresive ndaj çdo fjalie tonë dhe kundër nesh,” thotë ai.
Vuçiq dhe kryeministri Avdullah Hoti janë takuar gjatë ditës së sotme në Uashington, ku i pranishëm ishte edhe Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump.