Informata shumë me rëndësi para se të blini banesë

Investimi në një shtëpi apo banesë të re është një nga vendimet më thelbësore të jetës suaj dhe ndoshta është një ide që e keni qysh nga fëmijëria. Prandaj, nga ju kërkohet të mbani në mendje të gjitha pikat e mundshme para se të hidhni hapin dhe të bëni një përzgjedhje.

Meqenëse blerja e një shtëpie mund të shoqërohet gjithashtu me një kredi jo të vogël dhe këste mujore, duhet të jeni shumë të kujdesshëm, shkruan BankBazzar, transmeton Buletini Ekonomik.

Disa nga faktorët kryesorë që zakonisht merren parasysh janë vendndodhja, data e posedimit dhe çmimi, por ka edhe disa parametra të tjerë që duhen kontrolluar, ndërsa bleni një apartament të ri. Ata janë:

1.Çmimi i pronës:

Hapi i parë në zgjedhjen e një shtëpie apo banese është rregullimi i buxhetit. Kjo e bën më të lehtë pasi do të dini sa jeni të gatshëm të shpenzoni për të. Krahasoni çmimin e pronës në fjalë me çmimet e banesave në atë zonë nga ndërtues të ndryshëm. Kjo do t’ju japë informata nëse shitësi i banesës suaj u ka dhënë një çmim të përafërt me çmimin e tregut. Ka shumë mënyra ku mund të merrni informata për çmimet e banesave në zonën ku doni ta bleni banesën. Shembull, në portale të ndryshme apo agjencione të patundshmërive.

2. Siguria e vendit ku ndodhet prona

Toka në të cilën është ndërtuar banesa juaj është shumë e rëndësishme. Ju duhet të hulumtoni rreth cilësisë dhe topografisë së tokës. Para blerjes së një shtëpie, dokumentacioni i pronësisë duhet të verifikohet dhe kontrollohet në detaje. Të shihen të gjitha detajet mbi të drejtat, pronësinë dhe detyrimet ndaj pronës.

3. Kontrolli mbi ligjshmërinë e pronës

Sigurohuni që prona është e autorizuar ligjërisht të ndërtohet në ngastrën në të cilën ndodhet. Ndërtuesi duhet të ketë leje nga autoritetet. Sidomos, të verifikohet qasja e asaj prone në ujë të pijshëm, kanalizim dhe energji elektrike.

4. Përcaktimi i afateve

Është bërë trend nga ndërtuesit që t’i vonojnë afatet deri kur ia dorëzon çelësat blerësve. Prandaj, si blerës, duhet ta qartësoni me ndërtuesin afatin kohor se kur do ta merrni në zotërim banesën.  

5. Bankat Financuese

Ju duhet të merrni informata për bankat që janë të gatshme ose jo të financojnë ndërtues të caktuar. Për shkak të një reputacioni të keq, disa banka nuk u ofrojnë hua disa ndërtuesve. Pra, është shumë e rëndësishme që të kontrolloni me bankat që po plotësojnë për të financuar projektin në të cilin po planifikoni të investoni.

6. Marrëveshja ndërtues-blerës

Kur zgjidhni një banesë ose shtëpi, mund ta bëni edhe përmes një marrëveshje paraprake me ndërtuesin, duke dhënë një shumë simbolike paraprakisht (kaparin). Pastaj, lidhet një marrëveshje trepalëshe ndërmjet blerësit, bankës dhe ndërtuesit për pjesën tjetër të shumës. Kjo marrëveshje duhet të lexohet dhe kuptohet në detaje para nënshkrimit të saj. Të gjitha klauzolat duhet të kuptohen qartë dhe nëse ka dyshime, duhet të kërkohen sqarime shtesë.

7. Vendndodhja e Banesës

Për të mos harruar, është e rëndësishme të shikoni përreth zonës ku do të banoni përfundimisht. Komoditeti, ambienti, janë të rëndësishme për tu analizuar. Këta faktorë do t’ju ndihmojnë të keni një jetë të qetë më vonë. Banesa duhet të jetë në një vend të sigurt.

8. Tarifat e fshehura

Sigurohuni që të gjitha klauzolat e marrëveshjes të lexohen në detaje, sidomos pjesa e ndëshkimeve. Nëse nuk e merrni banesën në posedim brenda afatit, atëherë ndërtuesi duhet t’ju paguajë një gjobë mujore. Shpenzimet shtesë si tarifa e e shpenzimeve për kredi, tarifa për regjistrim të pronës në emrin tuaj dhe tarifa tjera të fshehura, duhet po ashtu të merren parasysh.

Blerja e shtëpisë është një nga hapat më të mëdhenj në jetën tuaj, prandaj duhet t’i mbani mend secilën nga këto pika para se ta nënshkruani marrëveshjen. /Buletini Ekonomik/