Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka hedhur kritika të mëdha ndaj delegacionit Kosovar që do të marr pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë.
Kurti delegacionin Kosovar e ka quajtur pa legjitimitet e të papërgatitur duke shtuar se negociatat e vërteta në Shtëpinë e Bardhë janë duke u zhvilluar mes ShBA’së dhe Serbisë pa Kosovën, raporton Gazeta Express.
“Pala kosovare nuk ka legjitimitet e as përgatitje, kurse nuk ka transparencë, nuk dihet agjenda e formati. Ky është një turizëm qeveritar me para të shtetit dhe të popullit. Delegacioni është enorm për nga numri I pjesëmarrësve dhe shumëfish më I madh se ai serb. Negociatat e vërteta janë ndërmjet ShBA’së dhe Serbisë dhe delegacioni Kosovar është ndërmjetësuesi, gjithsesi i panevojshëm”, ka thënë Kurti.
Ai poashtu është shprehur se marrëveshje me Serbinë nuk mund të ketë pa fituesin e zgjedhjeve.
“Nuk ka marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve, Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje tjera të pa implementueshme Jemi të bindur se as qytetarët nuk presin gjë prej tyre”, u shpreh Kurti.
Kurti sërish ka sulmuar Emisarin Special Richard Grenell pasi ky i fundit tha se të gjitha temat janë të hapura për diskutim në takim.
“Emisari Grenell konsideron se palën kosovare e ka, ndërkaq duhet t’ia shuaj paknaqësitë palës serbe. Gjithashtu është shumë I dëshmëm deklarimi që tha se jemi të hapur që të shtrohet para nesh secila temë Temat përcaktohen paraprakisht sepse duhet dakordim paraprak për to”, tha Kurti. /Express/