Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga koronavirusi.
Ai përmes në një postimi në Facebook ka shkruar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.
“Rolin kryesor tani e kanë qytetarët. Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten”, ka shkruar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se si shtet janë të përgatitur për t’u përballur me gjendjen e krijuar.
“Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm. Së bashku do të tejkalojmë edhe këtë sfidë”, shkruan ai.