Gareth Bale ka “goditur” sërish Real Madridin, duke thënë se klubi po i bën gjërat shumë të vështira derisa ai synon që të largohet nga Santiago Bernabeu.
Gjatë periudhës në Spanjë, Bale, ka arritur të fitojë disa prej trofeve më të rëndësishëm, përfshirë këtu katër herë Ligën e Kampionëve, dhe dy tituj të ligës, transmeton KOHA.
Por, megjithatë ka pasur edhe rënie të mëdha të tij, me lëndimet që kanë luajtur një rol kyç që trajneri Zinedine Zidane ta lë shpesh jashtë skuadrës.
Zidane i kishte dhënë 31 vjeçarit vetëm dy paraqitje në La Liga pas ndërprerjes së futbollit shkaku i koronavirusit, në muajin qershor. Madje, uellsiani nuk ishte i përfshirë fare në skuadër për ndeshjet e gushtit në Ligën e Kampionëve ndaj Manchester Cityt.
“Provova të largohem vitin e kaluar por ata bllokuan gjithçka në sekondat e fundit. Ishte një projekt për të cilin isha shumë i entuziazmuar por që nuk u materializuar. Dua të luaj futboll, ende jam i motivuar, prandaj mendoj se gjithçka varet nga klubi. Ata kontrollojnë gjithçka. Është gjithçka në duart e klubit por ata i bëjnë gjërat shumë të vështira, të jem i sinqertë”, ka thënë Bale për Sky.
Ai gjithashtu ka shprehur dëshirën e tij për një rikthim në Premier Ligë.