Ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi, sot me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një takim me Bruce Swartz, nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së, përgjegjës për Zyrën për Çështje Ndërkombëtar, si dhe për OPDAT dhe ICITAP, me të cilat Kosova ka partneritet të ngushtë prej shumë vitesh.
Në takim me z. Swartz, ministri Selimi ka folur për progresin që është arritur në drejtësi, si dhe reformat e ndërmarra në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit. Për këtë, si shumë të rëndësishme e ka cilësuar mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të gjyqësorit dhe prokurorisë në Kosovë, duke sjellë përvojën direkte të gjyqtarëve dhe prokurorëve amerikanë tek ata kosovarë.
Ministri Selimi ka vlerësuar asistencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht mbështetjen e pakursyer për reformat e ndërmarra me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Selimi ka veçuar përkrahjen e USAID, programeve OPDAT dhe ICITAP me të cilat Ministria e Drejtësisë ka realizuar plane konkrete të veprimit nga fusha e drejtësisë, duke shtuar se i gjithë investimi amerikan në këtë proces, ka rezultuar shumë i suksesshëm.
Nga ana tjetër z. Swartz ka vlerësuar marrëdhënien e shkëlqyeshme që SHBA ka me Kosovën dhe ka theksuar se çdo projekt i cili kontribuon në fuqizimin e sundimit të ligjit do të ketë përkrahjen nga shteti i tij.
Duke e falënderuar për këtë takim, ministri Selimi tha se Republika e Kosovës, miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kultivojë si vlerën më të çmuar të saj.