Kryetari i Prizrenit dhe anëtari i Kryesisë së VV-së, Mytaher Haskuka, vlerëson se duhet pritur një situatë më të favorshme për Kosovën për të nisur bisedimet me Serbinë, e ndoshta edhe një president tjetër të SHBA-së.
Haskuka i ftuar në Interaktiv, tha se Kosova rrezikon të humbasë shumë më shumë në takimin në SHBA se që mund të fitojë.
“SHBA-ja është para një procesi elektoral dhe para proceseve të tilla, në këtë rast e kemi Trumpin, ai do të mundohet të paraqesë një “sukses”. Për këtë mund të rrezikohen shumë premisa të Kosovës në këtë takim. Do të ishte e udhës që Kosova të presë e të këtë pozicion më të mirë, ose një president që do të ishte më i përkushtuar për interesat e Kosovës. Prandaj shumë më mirë do të ishte që këto takime të ndodhin pas procesit elektoral në SHBA”, ka thënë Haskuka.
Sipas tij, Kosova në aspektin e mbështetjes ndërkombëtare, nuk ka qenë asnjëherë më keq se që është tash.
“Të presësh diçka të mirë në këtë kohë, është joreale. Shpresoj ta kem gabim”, shtoi ai.