Përveç Prishtinës, asnjë komunë tjetër s’ka filluar me testimet serologjike

Gati 2 javë pasi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një udhëzimi administrativ ua dha dritën e gjelbër komunave që të nisin testimin serologjike te qytetarët, pothuajse asnjë komunë përveç kryeqytetit, nuk ka arritur ta nisë këtë testim.

Komuna e Gjakovës tashmë ka ndarë rreth 100 mijë euro për blerjen e 10 mijë testeve serologjike, derisa brenda javës së ardhshme pritet t’i sigurojnë këto teste.

Derisa Komuna e Prizrenit ka kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që t’u lejojë atyre që këto teste t’i blejnë me procedura të përshpejtuara.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu, ka deklaruar se nëse kjo u lejohet, atëherë ata gjatë javës së ardhshme mund ta nisin testimin, raporton KOHA.

Ndërsa drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, tregon se kjo komunë pasi ka marrë informacione nga Ministria e Shëndetësisë se nuk ka fonde nga niveli qendror për testet serologjike, atëherë ata janë duke shikuar mundësi që ato t’i ndajnë nga buxheti i komunës.

Më 18 gusht, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nënshkroi udhëzimi administrativ që u lejonte komunave që të kryenin teste serologjike dhe PCR.

Por, deri më tani është vetëm Komuna e Prishtinës e cila që nga muaji korrik, ka nisur testimin e qytetarëve të saj përmes testeve serologjike.

Derisa testimi serologjik ka nisur në mbi 100 laboratorë privatë të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.