Te skuadra e Werder Bremenit besojnë se ka ardhur koha që sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica t’i marrë parasysh ofertat e skuadrave nga Premier League pasi marrëveshja me RB Leipzigun nuk do të finalizohet me gjithë dëshirën e futbollistit. Kështu ka thënë drejtori sportiv i Werder Bremenit, Frank Baumann të premten për mediumet gjermane.
Rashica pritet të largohet gjatë kësaj vere kurse më herët ishte raportuar se kishte arritur marrëveshje personale me RB Leipzigun, ekip që me ofertën e tij nuk ka bindur Werderin. RB Leipzigu kishte ofruar 18 milionë euro në total për sulmuesin kosovar.
Megjithatë, Werderi po kërkon të paktën 20 milionë euro dëmshpërblim, shumë të cilën mund të jenë të gatshme ta paguajnë ekipet angleze si Aston Villa e Wolverhampton.
“Për shkak të stilit të lojës dhe faktit që është në Ligën e Kampionëve, RB Leipzig sigurisht se është një klub emocionues për Milotin. Por pyetja është se a ka kuptim që lojtari të presë kur të dy klubet nuk mund të arrijnë një marrëveshje. Nëse të dy palët kanë ide të ndryshme dhe përcaktojnë kufij, është e mundur që transferi mos të realizohet”, ka thënë Baumann. “Sigurisht, ka klube tjera të interesuara për Milotin edhe pse kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të mbetet te Werderi në sezonin e ri”.