Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, ka thënë se i mirëkupton qytetarët që sonte protestuan me kërcitje enësh kundër klasës politike, po u sqaroi atyre se Qeveria po e rrëzon veten me sjelljet e Albin Kurtit karshi zhvillimeve në vend.
Ismaili ka shkruar në faqen e tij në Facebook se ende është e paqartë për të gjithë qytetarët, ata që votuan për këtë koalicion qeverisës dhe ata që nuk votuan për të, se si është e mundur që në javën kur Qeveria mbylli shkollat dhe ndali arsimimin e fëmijëve, kur mijëra punëtorë dhe biznese e ndalën punën e tyre, në javën kur filloi ankthi i ballafaqimit me pandeminë e koronavirusit, Albin Kurti shkarkoi për një fjalë goje Ministrin e Brendshëm, që është edhe Nënkryetari i parë LDK-së, dhe e sfidoi LDK-në: Me mua apo me Agimin, për ta provokuar kështu rrëzimin e Qeverisë.
“Albin Kurti flet për unitet, ndërsa vepron si përçarësi më i madh”, tha Ismaili.
Deklarata e plotë e Uran Ismailit:
Sonte, me të drejtë, qytetarët e indinjuar dolën në ballkonet e tyre për të protestuar me kërcitje enësh kundër klasës politike.
Më vjen keq t’ju them, por ky veprim dhe shumë të tjerë që mund të organizohen – do të hasin në veshë të shurdhër. Ngase, Qeveria po bie nga vetë Qeveria. Askush nuk mund ta mbrojë tjetrin nga vetja e tij.
Shumica parlamentare është bazë për ta mbajtur Qeverinë. Nëse vetë, me duart tua, shkul një pjesë të kësaj shumice, është matematika më e thjeshtë në demokraci, është rruga kur dëshirohet të rrëzohet Qeveria.
Ende është e paqartë, për të gjithë qytetarët, ata që votuan për këtë koalicion qeverisës dhe ata që nuk votuan për të, se si është e mundur që në javën kur Qeveria mbylli shkollat dhe ndali arsimimin e fëmijëve, kur mijëra punëtorë dhe biznese e ndalën punën e tyre, në javën kur filloi ankthi i ballafaqimit me pandeminë e coronavirusit, Albin Kurti shkarkoi për një fjalë goje Ministrin e Brendshëm, që është edhe Nënkryetari i parë LDK-së, dhe e sfidoi LDK-në: Me mua apo me Agimin, për ta provokuar kështu rrëzimin e Qeverisë?
A ishte aq i rëndësishëm ky qërim hesapesh i Kryeministrit pikërisht në këtë javë?
A duhej domosdoshmërisht që pikërisht në kohën kur të gjithë u ngujuan në shtëpi dhe pandemia nisi të shtrihet nga qyteti në qytet, Kryeministri ta mënjanojë politikisht dikë që mund ta kishte një mendim ndryshe prej tij? Sepse, Kryeministri nuk duron të flitet kundër tij. Me parë e prish Qeverinë. Dokrra për militantët e tij, e fatkeqësi për të gjithë qytetarët.
Albin Kurti flet për unitet, ndërsa vepron si përçarësi më i madh.
Sot e gjeti të shkonte në Ministrinë e Agim Veliut dhe të demonstronte me Xhelal Sveçlën se gjithçka është në rregull. Pra, ta fuste gishtin në plagën e LDK-së. Të sigurohej se po e forconte edhe më tutje idenë e rrëzimit të Qeverisë. Sepse, ky është qëllimi i tij.
Pse nuk shkoi t’i jepte mbështetje Ministrit të Shëndetësisë, ose mjekëve e infermiereve në QKUK? Pse nuk bisedoi me Kryetarët e Komunave të izoluara? Sepse, Albin Kurti nuk interesohet për zgjidhje që zbusin krizën, por për veprime që e rrisin tensionin dhe krizën.
Në këtë kohë kur i kemi familjet të ngujuara, mjekët dhe infermieret të shqetësuar, bizneset e mbyllura dhe punëtorët e pezulluar, mësuesit pa nxënës e profesorët pa studentë, të gjithë Kosovën me gjysmë fryme, Albin Kurti vendos ta godasë nën brez Qeverinë dhe ta rrëzojë atë. Për një grusht votash. Që të viktimizohet. Që t’u thotë militantëve të tij se po e largojnë. Dhe, krejt këtë kalkulim e bën në kohën kur vendin e ka përfshirë një krizë e madhe.
E vërteta është se Kurti e dizajnoi vetë largimin e tij, siç e quajti ai – “në një situatë të pazakonshme, që ne nuk e kemi hasur një të tillë, si Qeveri e Legjislaturë, që prej çlirimit e këndej”, ngase ballafaqimi me të – do të dëshmonte se nuk është i gatshëm të përballej as me luftën kundër COVID-19, as me SHBA-në mike, e as me Serbinë armike. As të realizonte premtimet, e as t’i pranonte dështimet. Largimi si viktimë dhe Kosova në krizë, në mendjen e tij, është një mundësi e re. Por, demokracia funksionon në kundërshtim me apetitet e diktaturave. Kriza që ai e krijoi, do të jetë pellgu ku ai do të fundoset politikisht.