Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë publik këtë të enjte planin ekonomik për t’i bërë ballë pasojave të mëdha që ka sjellë përhapja e koronavirusit në Shqipëri.
Kryeministri u shpreh se plani ndahet në 7 pika dhe fillimisht ndihma do t’i shkojë personave në nevojë. Rama tha se mbi 20 milionë dollarë, do të shkojnë direkt për blerjen e pajimeve dhe mbështetjen e nevojave të mjekëve, të cilët ndodhen në reshtin e parë të ‘luftës’. Në lidhje me pagat e punonjësve, Rama tha se do të jepet një fond prej rreth 80 milionë dollarë, për kompanitë që kanë vështirësi në dhënien e pagave të punonjësve. Për biznesin e vogël dhe shtresat në nevojë, Rama tha se do të jepen rreth 65 milionë dollarë.
Rama: Plani ynë për adresimin e nevojave për financim, të atyre që janë prekur drejtpërdrejtë në pagën e përmuajshme ka këto 7 pika:
1. Së pari 20 milionë euro, për Ministrinë e Shëndetësisë për luftën në vijën e zjarrit për pajisje dhe mbështetje për personelin mjekësor
2. 80 milionë euro, për kompanitë që kanë vështirësi për paguar pagat e punonjësve.
3. 53 milionë euro, për nevojat më imediate për shtresat në nevojë, biznesin e vogël e papunësinë e mundshme
4. 16 milionë euro, për mbrojtjen për operacionet humanitare
5. 8 milionë euro, për qeverinë për çdo urgjencë
6. Do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për energjinë me efekt 120 milionë euro, do të përfitojnë 211.024 abonentë
7. Do të riskedulojmë tatim- fitimin për të gjithë biznesin nga 2-14 mln lekë.
Kryeministri foli në lidhje me përpilimin e të paktën 3 planeve nga ana e qeverisë, duke deklaruar se plani A po bëhet publik këtë të enjte.
“Jo unë, por askush në botë, nuk e dimë se deri kur vazhdon kjo luftë prandaj edhe plani ynë do të jetë, A me një rezervë B dhe një C dhe nëse armiku nuk do të largohet për 6 muaj do të vijmë te një plan D, Zoti e di se çfarë forme ka një plan D. Askush nuk e ka një plan të shkruar. Të gjithë besojnë se kjo çudi do të zgjasë 3 muaj. Me të dalë ku të dalë nuk dalim nga shtëpia nesër dhe të biem në një gropë të hapur që të mos dalim as për tre vjet. Plani që do të zbatojmë nuk është ecje qorrazi. Plani unë është nga poshtë lart me kategori dhe shtresat, për më të dobëtit”, tha Edi Rama.