Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), po kërkon që viti i ri shkollor të shtyhet për 10 ditë.
“Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë”, thuhet në kërkesën e SBASHK-ut.
Sindikata thotë se ka mbajtur takim në distancë me kryesinë, kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe me anëtarët e këshillit drejtues, e nga ky takim, është ngritur si shqetësim se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe sipas planit të MASH-it.
“Pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje a konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore”, vijon komunikata.
Po ashtu, SBASHK-u thotë se kanë pranuar informacione se ka tendenca nga ndonjë Drejtori komunale e Arsimit dhe ndonjë drejtor shkolle që mjetet higjienike dhe dezinfektuesit t’i sigurojnë përmes prindërve, qoftë duke mbledhur para nga prindërit, qoftë duke sjellë prindërit dezinfektues në shkollë.
“SBASHK-u është kundër iniciativave të tilla sepse në këtë situatë të rënduar sociale e ekonomike nuk është e drejtë të ngarkohen edhe më shumë apo të vihen një pjesë e tyre në pozitë të keqe para të tjerëve ngase nuk kanë mundësi të jenë pjesë e këtij aktiviteti, të cilin SBASHK-u kërkon të ndalet dhe kërkesat e shkollave në rrethanat e reja të sigurohen nga buxheti shtesë prej 9.5 milionë, që ka ndarë Qeveria e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kryesia, Këshilli Drejtues dhe kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve pas shumë diskutimeve dhe bazuar edhe në komunikimin gjatë gjithë kohës me veprimtarët sindikal nxjerr konkluzionet me të cilat publikisht njofton Qeverinë, MASH-in dhe gjithë opinionin:
Të pajisen shkollat me dezinfektues,
Të caktohen persona përgjegjës, po jo mësimdhënësit , për matjen e temperaturës së nxënësve,
Të ketë personel mjekësor kujdestar së paku në shkollat që kanë më shumë se 500 nxënës,
Të sigurohen maska dhe mjete mbrojtëse për punëtorët arsimor,
Të ketë lista të mësimdhënësve rezervë,
Të lëshohen vendime për lirimin e përkohshëm nga procesi mësimor të punëtorëve arsimor të sëmurë dhe ata të vazhdojnë të marrin paga gjatë gjithë kohës së pandemisë,
Të krijohen mundësi për kryerjen e testit për Covid të personelit arsimor,
E-shkollori dhe nisma për ditarët digjital të implementohet pas pandemisë Covid-19.
Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka miratuar planin e Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë për fillimin e vitit të ri shkollor para-universitar në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Në bazë të këtij plani, parashihet që viti shkollor të nisë në faza.
E para pritet të nisë më 1 shtator dhe përfshin parashkollorët, klasat e para, të dyta, të treta, të gjashta dhe të dhjeta.
Faza e dytë do të fillojë më 7 shtator dhe përfshin klasat e katërta dhe të pesta, ndërsa faza e tretë e mësimit do të fillojë më 10 shtator dhe do të përfshijë klasat e shtata, të teta, të nënta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta.
Kurse, në bazë të situatës epidemiologjike, sipas planit mësimi do zhvillohet në tre skenarë: kthimi në shkolla, mësimi i kombinuar dhe mësimi në distancë.